“Prishtina që funksionon”: Hajrulla Çeku zbulon vizionin për kryeqytetin si kandidat i VV-së

Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, është zyrtarizuar sot si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Çeku përmes një postimi në Facebook, ku theksoi se ky vendim i Këshillit të Qendrës së VV-së në Prishtinë nuk është vetëm një hap formal, por një zotim për një drejtim të ri për kryeqytetin, përcjell KosovaPost.

“Është nder dhe përgjegjësi që e marr me gjithë përkushtimin tim,” ka shkruar Çeku, duke paraqitur edhe vizionin e tij për një Prishtinë që “funksionon, që zhvillohet dhe që nuk lë askënd pas.”

Në mesazhin e tij, ai renditi disa nga prioritetet kryesore të platformës së tij qeverisëse, përfshirë:

  • Lagje të pastra dhe me jetë komunitare,
  • Arsim cilësor dhe gjithëditor,
  • Infrastrukturë moderne për sportin,
  • Ekonomi familjare të qëndrueshme,
  • Shëndetësi të avancuar dhe të afërt me qytetarin,
  • Administratë digjitale dhe efikase,
  • Kulturë si industri kreative dhe treg pune të drejtë për gratë e të rinjtë,
  • Transport publik funksional dhe siguri për të gjithë,
  • Zhvillim të barabartë për fshatrat dhe qytetin,
  • Planifikim urban që ruan identitetin dhe ndërtim me kuptim,
  • Institucione që dëgjojnë, jo që heshtin.

“E duam një Prishtinë ku gjithkush ndihet pjesë e zhvillimit dhe ku secili qytetar gjen hapësirë për jetë dinjitoze,” shkruan Çeku, duke shtuar se ndërtimi i kësaj Prishtine do të bëhet “me plan, me punë dhe me Vetëvendosje.”

Ai ka shpërndarë edhe disa fotografi nga zyrtarizimi i kandidaturës së tij.

The post “Prishtina që funksionon”: Hajrulla Çeku zbulon vizionin për kryeqytetin si kandidat i VV-së appeared first on Kosovapost.net.