Prishtina po rinovon tunelin e “Kurrizit”, por punimet ecin ngadalë dhe zgjerohen punët shtesë

Komuna e Prishtinës ka nisur renovimin e tunelit të njohur në lagjen “Dardania”, por punimet po ecin shumë ngadalë, shkruan Demokracia.com.

Kontrata për këtë projekt është nënshkruar në gusht të vitit 2024, ndërsa punimet kanë filluar në shtator. Sipas marrëveshjes, kompania e kontraktuar ka afat 240 ditë për të përfunduar punimet. Megjithatë, tashmë jemi në fund të shkurtit dhe projekti është ende larg përfundimit.

Brenda tunelit janë kryer vetëm disa gërmime dhe disa punë anësore, ndërsa aktualisht ai po shërben edhe si parking për veturat.

Kontrata e titulluar “Renovimi artistik dhe infrastrukturor i tunelit të ‘Kurrizit’ në Dardani” është lidhur mes Komunës së Prishtinës dhe kompanisë EING COM SH.P.K., me një vlerë prej 1,229,678.02 euro.

Në fund të vitit të kaluar u shtuan punime shtesë dhe komuna nënshkroi një aneks-kontratë me vlerë 121,003.50 euro, që përbën 9.83% të vlerës fillestare. Kjo do të thotë se është brenda kufirit ligjor maksimal prej 10% të kontratës bazë.

Bazuar në kontratën e nënshkruar, punimet duhet të përfundojnë në maj të këtij viti. /Demokracia.com/