Prishtina Parking rinis punën me rregulla të reja për pagesa e gjoba

Ndërmarrja “Prishtina Parking” nga sot ka rikthyer funksionalitetin e saj të plotë, duke prezantuar një sistem të ri pagesash për parking dhe një mënyrë të re të shqiptimit të gjobave. Sipas zyrtarëve komunalë, kjo nismë synon të rregullojë kaosin në parkime dhe të vendosë një sistem më funksional për qytetarët.

Qytetarët do të kenë tri opsione për pagesën e parkimit, përmes SMS, aplikacionit “Prishtina Parking”, dhe blerjes së një bilete fizike në lokacionet e vendosura pranë parkingjeve, raporton KosovaPress.

Në vend të bllokadave në vetura, të cilat ishin praktikë e zakonshme më parë, shoferët tani do të gjobiten drejtpërdrejt nga Inspektorati i Kryeqytetit dhe Policia e Kosovës.

Gjobat do të vendosen në veturë dhe do të përmbajnë edhe numrin e targave. Ato do të variojnë nga 30 deri në 100 euro, ndërsa nëse paguhen brenda 15 ditëve, shoferët do të kenë mundësinë ta paguajnë vetëm gjysmën e shumës.

Ndërkohë, avokatë kanë shprehur shqetësime për mungesë transparence dhe bazë ligjore në rikthimin e gjobave. Edhe qytetarët kanë shprehur dyshime për ligjshmërinë dhe kërkesë për gjoba më të përballueshme.

Drejtori i Inspektoratit në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci, tha se ndryshimi i praktikës së mëparshme shënon një risi në mënyrën e trajtimit të shkeljeve në parkim.

Ai sqaroi se nuk bëhet fjalë për një rregullore të re dhe se rikthimi i Prishtina Parking nuk është i kundërligjshëm ndaj aktgjykimit të Gjykatës Supreme.

Ndërsa, avokati Qëndrim Arifi, ka kritikuar mënyrën e zbatimit të këtij vendimi. Arifi për KosovaPress ka thënë se përveç të një statusi në rrjete sociale të kryetarit të Prishtinës, nuk ka ndonjë dokument e cila tregon si po kthehet në zbatim funksionalizimi i kësaj ndërmarrjeje. Sipas tij, rikthimi i gjobave është i kundërligjshëm.

Qytetarët kanë komentuar rikthimin e Prishtina Parking dhe gjobat e reja. Sipas tyre, nëse janë eliminuar parregullsitë që ka shpallur Gjykata Supreme në aktgjykimin e saj për këtë ndërmarrje, atëherë mund të vazhdohet puna. Ndërsa për çmimin e gjobave qytetarët kishin ankesa se është një kosto e lartë.

Për qytetarin Sherif Dobra, rikthimi i gjobave është i dyshimtë në aspektin juridik.

Qytetari Mirsad Krasniqi thotë se gjoba nga 30 deri në 100 euro është një kosto e lartë.

E Agron Orrana, gjithashtu thekson rëndësinë e përshtatjes së gjobave me nivelin ekonomik të qytetarëve.

Gjykata Supreme me aktgjykimin e datës 16 prill 2025 ka rrëzuar disa nene të rregullores për organizmin dhe shfrytëzimin e parkingjeve të Prishtinës. Këto nene që janë rrëzuar kanë të bëjnë më mënyrën e pagesës së parkingjeve, bllokimin e veturave që nuk kanë kryer pagesën brenda periudhës 10-minutëshe që nga momenti i parkimit, lëshimi i biletave për parkim në zona të pa licencuara, si dhe të marrë masa ndëshkimore, si bartja/zhvendosja e mjeteve.

Ndërmarrja “Prishtina Parking”, në një përgjigje me shkrim për KosovaPress ka thënë se që nga pranimi i aktgjykimit ka qenë pjesë e grupeve punuese për të adresuar çështjet e ngritura nga gjykata, me qëllim që të sigurojnë mbrojtjen e funksioneve esenciale dhe qëndrueshmërinë financiare të ndërmarrjes