Protesta e transportuesve urbanë do të vazhdojë edhe të hënën para Komunës së Prishtinës.
Për shkak të mos-shlyerjës së borxhit që Komuna e Prishtinës ka ndaj transportuesve urbanë, protesta e tyre do të vazhdojë edhe të hënën, pavarësisht vendimit të së enjtes së Kuvendit Komunal për bartjen e të hyrave vetanake nga viti 2024.
E përfaqësuesit e transportuesve kanë paralajmëruar se protestat do të vazhdojnë deri në momentin kur paratë të transferohen në llogaritë e tyre bankare, duke theksuar se nga borxhi i tyre prej 3.3 milionë eurosh, janë shlyer vetëm 680 mijë euro.
Për një javë, qytetarët janë obliguar të gjejnë zgjidhje alternative për të arritur në punë, në shkollë apo në aktivitetet e tyre të përditshme, derisa ka vazhduar ping-pongu mes nivelit qendror dhe atij lokal se kush është fajtor për situatën e krijuar.
Ndryshe, protesta e transportuesve urban do të vazhdojë edhe sot në orarin identik, ashtu sikurse ka ndodhur gjatë gjithë javës – nga ora 10:00 deri në 12:00. Në shenjë proteste, ata kanë parkuar autobusë para objektit të Komunës së Prishtinës.











