Kryetari i sindikatës së Trafikut Urban në Prishtinë, Ilmi Gashi, ka bërë të ditur se protesta e transportuesve publikë dhe privatë do të vazhdojë edhe sot me fillim nga ora 11:00.
Në emisionin “Fol me Arin”, Gashi tha se greva e tyre do të vazhdojë deri në momentin që Komuna e Prishtinës ta shlyejë borxhin që kanë ndaj operatorëve publikë dhe atyre privatë, transmeton Klankosova.tv.
“Protesta vazhdon edhe sot që nga ora 11:00, pranë Kuvendit Komunal të Prishtinës, aty ku është çerdhja e asaj që neve jemi të detyruar të kryejmë detyrimet ndaj Komunës, dhe Komuna të shlyejë borxhet ndaj Trafikut Urban, dhe transportin publik në përgjithësi, ku bën pjesë edhe sektori privat”, tha Gashi.
“Dita e katërt e protestës është sot. Deri në momentin që bëhet shlyerja e borxheve ne do të jemi në protestë”.
Ai iu kërkoi falje të gjithë qytetarëve të Prishtinës, për pamundësinë për t’iu shërbyer atyre.
“Ne iu kërkojmë ndjesë qytetarëve të Prishtinës, për pamundësinë për t’i shërbyer”, tha ai.
Ndryshe, sot do të mbahet seancë e jashtëzakonshme në Kuvendin Komunal të Prishtinës për bartjen e mjeteve vetanake të kryeqytetit dhe për buxhetin e vitit 2026, me fillim nga ora 15:00.
Gashi nuk u shpreh fort optimist lidhur me këtë seancë, derisa paralajmëroi sërish se protestën nuk do ta ndalin deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.











