Prishtina është fituese e Kupës së Kosovës, pasi në finale mposhti Llapin me rezultat 1-0, duke siguruar kështu pjesëmarrjen në kualifikimet për fazën e ligës në Ligën e Evropës.
Ndeshja nisi më mirë për llapjanët, të cilët rrezikuan nga krahu i djathtë, por mbrojtja e kryeqytetasve u tregua e vëmendshme. Në minutën e 11-të, Dion Gaallapeni harkoi në zonë, mirëpo portieri Marjan Coric ndërhyri me siguri
Axel Gnapi humbi dy raste të njëpasnjëshme për Prishtinën, ndërsa Hasani nga Llapi provoi me një goditje në minutën e 16-të, por edhe ai u ndal nga mbrojtja.
Gnapi vazhdoi të ishte kërcënimi kryesor për Llapin, por nuk arriti të shënojë. Llapi, në anën tjetër, dilte shpejt në kundërsulm, por gabonte në pasimin e fundit.
Në minutën e 43-të, Ardit Tahiri pati një mundësi të artë për të shënuar, por portieri Kolaj doli me kohë dhe ia mori topin nga këmbët.
Pjesa e dytë nisi keq për Llapin. Arbnor Ramadani mori dy kartonë të verdhë për ndërhyrje të panevojshme dhe u përjashtua në minutën e 58-të, duke e lënë skuadrën me një lojtar më pak.
Prishtina shënoi në minutën e 60-të me Albin Krasniqin, pas një asistimi të bukur nga Ardian Limani.
Ramiz Bytyqi ishte pranë golit të dytë në minutën e 77-të, por Elvir Gashaj e bllokoi goditjen e tij.
Prishtina e ruajti epërsinë minimale deri në fund dhe fitoi Kupën e Kosovës, duke siguruar edhe kalimin në kualifikimet e Ligës së Evropës.
Ndërkohë, Llapi përballet me një të diel vendimtare, ku duhet të luftojë për të shmangur barazhin pas një sezoni shumë të vështirë.