Prishtina fiton derbin ndaj Llapit

Një ndeshje jashtëzakonisht interesante u zhvillua në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, mes Prishtinës dhe Llapit.

Pas 90 minutave lojë, vendasit arritën triumf të madh tek në fundin e ndeshjes.

Rastet nuk munguan qysh në fillim, me Leutrim Bekteshin që rrezikoi i pari për vendasit, shkruan lajmi.net.

Mysafirët u kundërpërgjigjën me Mentor Zhdrellën, topi i të cilit nuk u devijua mirë nga Elvis Prençi.

Në minutën e 20-të u shënua edhe goli i parë nga Basid Khalid, por u anulua për shkak të pozicionit jashtë lojë që ishte mjaft i dyshimtë.

Festim Alidema për Llapin e Basid Khalid për Prishtinën rrezikuan me gjuajtja nga largësia, por mungoi saktësia dhe pjesa e parë përfundoi me porta të paprekura.

Pjesa e dytë i takoi në tërësi ekipit të Mirel Josës, që huqën mundësi të arta për të kaluar në epërsi me Abdul Bashiru e Basid Khalid.

Por heroi i Prishtinës edhe kësaj rradhe ishte Mërgim Pefqeli, që shënoi dy minuta para fundit të takimit dhe arriti t’i siguronte tre pikë të rëndësishme ekipit të tij.

Tashmë, Prishtina është vetëm dy pikë larg nga lideri Feronikeli, i cili fitoi bindshëm 4-1 ndaj Dritës.

Llapi tashmë ka pak shpresa për titullin kampion, teksa javën e ardhshme përballet me ekipin nga Drenasi, ndërsa Prishtina pret Trepçën ’89.