Me 1,037 biznese që raportojnë qarkullim mbi 1 milion euro, Prishtina mbetet qendra kryesore ekonomike e Kosovës, duke lënë pas komunat e tjera me një diferencë masive.
Sipas të dhënave të publikuara nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) dhe të përpunuara nga Instituti GAP, gjithsej 2,864 biznese në Kosovë kanë tejkaluar këtë prag financiar në vitin 2024.
Pas Prishtinës, Prizreni renditet i dyti me 225 biznese milionëshe, ndjekur nga Ferizaj me 218 të tilla.
Ndër komunat e tjera që kanë një numër të konsiderueshëm të bizneseve me të ardhura mbi një milion euro janë: Graçanica me 153 biznese, Gjilani me 130 biznese, Fushë Kosova me 127 biznese, Peja me 116 biznese, Gjakova dhe Mitrovica e Jugut me nga 80 biznese secila dhe Lipjani me 79 biznese.
Tregia me shumicë dhe pakicë është sektori dominues në shumicën e komunave, ndjekur nga ndërtimtaria dhe shërbimet profesionale.
Gjithashtu, një pjesë e konsiderueshme e bizneseve operojnë në fushën e informimit dhe komunikimit, si dhe shërbimet administrative dhe mbështetëse.
Prishtina përbën mbi 36% të totalit të bizneseve milionëshe në Kosovë.
Investimet e huaja direkte
Investimet e huaja direkte në Kosovë kanë arritur një nivel rekord prej 856.3 milionë eurosh në vitin 2024.
Megjithatë, ndonëse kryeministri në detyrë, Albin Kurti, shpërndante lajme gjatë vitit të kaluar se si Kosova po renditej në top vendet me tërheqjen më të madhe të investimeve të huaja direkte në raport me Bruto Produktin Vendor, 75.5 për qind e investimeve janë derdhur në sektorin e pasurive të paluajtshme.
Plotë 647.8 milionë euro (75.7% e IHD-ve) shkuan për blerjen dhe zhvillimin e pronave.
Nga ana tjetër, sektori i prodhimit ka marrë vetëm 21.1 milionë euro, ose 2.5% të totalit të IHD-ve.
Rreziqet nga ngrirja e fondeve të USAID-it
Agjencia e njohur e lajmeve, “Reuters”, ka publikuar së fundi artikull në lidhje me rrezikun që u kanoset disa bizneseve kosovare nga ngrirja e fondeve të agjencisë amerikane për ndihma të jashtme, USAID, me urdhër të presidentit amerikan, Donald Trump.
Sipas mediumit, ShBA-ja ka qenë njëra nga përkrahëset më të mëdha të Kosovës që nga ndarja e shtetit të vogël ballkanik nga Serbia, duke i dhuruar ndihma me vlerë të 1,1 miliard dollarëve nga viti 2001, sipas shifrave të qeverisë amerikane.
Organizata me seli në Prishtinë, GAP, tha se USAID-i tani për tani është duke menaxhuar 17 projekte me vlerë të më shumë se 156 milionë dollarëve, por është e paqartë se sa prej kësaj shume në të vërtetë është disbursuar.
Kosova është njëra nga shtetet më të varfra në Evropë dhe mbetet në nevojë të skajshme për ndihma, thonë politikanë e banorë.