Prishtina e papërfshirë në Buxhetin 2026, Mustafa sot çon amandament në komision parlamentar

Besian Mustafa i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka njoftuar se sot në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Buxhet do të dorëzojë zyrtarisht amandament për përfshirjen e buxhetit të Prishtinës.

Kjo pasi buxheti i Prishtinës nuk është përfshirë në Projektbuxhetin 2026.

“Do të provoj të ndërtoj pajtueshmëri me të gjitha partitë parlamentare sepse Prishtina nuk u përket vetëm banorëve të saj, por mbarë Kosovës”, tha Mustafa.

Postimi i plotë:

Sot, do të paraqes zyrtarisht amendamentin për përfshirjen e buxhetit të Kryeqytetit në Ligjin për Buxhetin e Republikës për vitin 2026.

Në Komisionin Parlamentar për Buxhet në orën 13:00, përtej arsyetimit të kërkesës si përfaqësues i LDK-së, do të provoj të ndërtoj pajtueshmëri me të gjitha partitë parlamentare sepse Prishtina nuk u përket vetëm banorëve të saj, por mbarë Kosovës.

Si qendra jonë kryesore ekonomike, akademike, shëndetësore dhe administrative, infrastruktura e kryeqytetit përballon çdo ditë një fluks masiv të qytetarëve nga çdo komunë tjetër. Zhvillimi i Prishtinës, rregullimi i infrastrukturës dhe përmirësimi i shërbimeve të saj, ndikon drejtpërdrejt në jetën e qindra mijëra qytetarëve që punojnë, studiojnë apo marrin shërbime këtu.

Mbështetja e këtij amendamenti nuk duhet të shihet si një favor lokal apo betejë politike, por si një domosdoshmëri për një shtet më funksional. Kur bëhet fjalë për Kryeqytetin tonë, besoj fort se interesi i përgjithshëm shtetëror duhet të lartësohet mbi çdo ngjyrë apo ndasi partiake.

Na prift e mbara!