Zotëriu i parë Prindon Sadriu, ka shpërndarë në Facebook shkrimin e Haxhi Avdylit, i cili dha dorëheqje nga partia GUXO, pas linçimeve e kërcënimeve ndaj Presidentes Vjosa Osmani.
Sipas, zotëriut të parë, Prindon Sadriu, dehumanizimi, linçimi e kërcënimet ndaj Vjosa Osmanit, kanë kaluar çdo kufi dhe se heshtja nuk është neutralitet sipas tij, por bashkëfajësi.
“Kjo dorëheqje e Dr. Haxhiut, deputet në disa mandate, është një akt i rrallë integriteti dhe GUXIMI politik në një kohë kur debati publik po helmohet nga linçimi, shpifjet dhe madje thirrjet për “pushkatim” të Presidentes”.
Ai ka adresuar edhe kërcënimet e linçimet ndaj presidentes Osmani.
“Demokracia nuk mbrohet me linçime, kërcënime, thirrje për dhunë dhe dehumanizim të kundërshtarit; ajo mbrohet nga ata që kanë guximin të thonë MJAFT MË kur kalohet çdo kufi i njerëzores dhe i politikës”, ka thënë ai.
“Në një Kosovë të lirë, askush nuk duhet të heshtë përballë gjuhës së dhunës. Sot është Presidentja; nesër mund të jetë kushdo tjetër cak i thirrjeve për ‘pushkatim’ dhe i këtij dehumanizimi të rrezikshëm”.










