Presioni i numrit 10; a mund ta përballojë Lamine Yamal krahasimin me Messin?

Pak javë më parë, Lamine Yamal rinovoi kontratën me Barcelonën deri më 30 qershor 2031. Marrëveshja e re mes klubit katalanas dhe lojtarit do të hyjë në fuqi kur ai të mbushë 18 vjeç, më 13 korrik. Gjatë negociatave për rinovimin, Barcelona ka pasur parasysh se djaloshi nga Rocafonda është një futbollist i veçantë, unik. Dhe se meritonte një trajtim të diferencuar, pavarësisht moshës së tij të re. Lamine Yamal është i veçantë dhe klubi e di këtë.

Edhe pse ai vetë shmang krahasimet me Leo Messin, duket se është shkruar që roli i tij të jetë ai i trashëgimtarit të argjentinasit, brenda dhe jashtë fushës. Si fillim, kur të zyrtarizohet largimi i Ansu Fati, ai do të marrë fanellën me numrin 10. Një numër që mbart “peshë” të madhe në aspektin e marketingut, por për Lamine ky fakt nuk përbën presion shtesë.

“Numrat nuk shënojnë gola”, – deklaroi së fundmi. Ai është shtyllë e skuadrës së Hansi Flick, lojtari më vendimtar i Barcelonës, jo vetëm për shifrat që pritet të përmirësohen, por sepse me lojën e tij i bën më të mirë shokët e skuadrës. Yamal është një pretendent i ardhshëm për “Topin e Artë”.

Me një rrogë astronomike (që mund të arrijë deri në 20 milionë euro fikse, plus bonuse, sipas shifrave jozyrtare), nga Lamine Yamal do të kërkohet të jetë lider në fushë, të fitojë ndeshje dhe, pa e kërkuar vetë, të bëhet fytyra e klubit, lojtari simbol.

Një presion i madh për dikë që do të mbushë 18 vjeç. Sidoqoftë, markat e njohura tashmë po garojnë për t’u lidhur me të. Ai është një magnet për sponsorët, prania e tij do ta rrisë çmimin e miqësoreve dhe turneve. Pra, do të jetë një arsye më shumë për ta mbushur “Camp Nou” e ri.

Rreth figurës së tij po hapet një debat: a është kjo, barrë shumë e madhe për një të ri, kaq të vogël? “Mendoj se ta shohësh tashmë si Messin, si një figurë që tërheq gjithë klubin dhe është referencë në çdo aspekt, është shumë herët, – thotë Xavi Vilajoana, ish-drejtues, përgjegjës për futbollin bazë. – Mosha 18-vjeçare është etapë adoleshente shumë e ndërlikuar dhe gjithçka mund të ndryshojë nga dita në ditë. Nga ajo që kam parë dhe njohur, duhet të jemi të kujdesshëm”.

Ai flet me njohuri, pasi gjatë kohës në klub punoi për ta sistemuar Lamine në “La Masia”, ambient më i mirë për zhvillimin e tij si lojtar dhe njeri. Koha i ka dhënë të drejtë. Vilajoana këshillon që të tregohet më shumë durim me progresin e tij: “Nuk them që nuk mund të bëhet më i miri, por është shumë e guximshme t’ia vësh këtë etiketë.

Nuk besoj as që është e shëndetshme për të. Proceset e pjekurisë mendore janë shumë të veçanta. Lamine nuk i ngjan Messit, as nuk synon të jetë si ai. Nëse është në gjendje ta përballojë dhe ta pranojë me natyrshmëri këtë krahasim, mund të bëhet. Sidoqoftë unë, në këtë moment, nuk do të vendosja bast se ai do të bëhet Messi, me gjithçka që kjo nënkupton”.

Xavi Martín, ish-përgjegjës i “La Masia” gjatë kohës së Lamine Yamal, është më pak skeptik. “Mendoj se Lamine, dhe e tregon në fushë, është një djalë që di t’i menaxhojë shumë mirë emocionet e presionin. Ka personalitet, është i pjekur, është një djalë ndryshe, ka karizëm.

I vogël ishte më i tërhequr dhe i turpshëm, por tani ka shumë personalitet. Do ta përballojë mirë presionin. Mendoj se mund të bëhet lojtari simbol i Barcelonës për nga loja dhe personaliteti. Shiko si përgjigjet në intervista, nuk ka frikë të thotë atë që mendon. Është lojtari më i mirë dhe marka më e mirë”.

Vetëm koha do të tregojë se deri ku mund të arrijë Lamine Yamal. Talenti dhe ambicia nuk i mungojnë. E vetmja pikëpyetje është nëse do të dijë të jetë konstant dhe i rregullt, për të qenë më i miri për një kohë të gjatë.

Hansi Flick i ka dhënë një këshillë të shkëlqyer: “Puno, puno dhe puno”. Lamine i ka të gjitha për të qenë më i miri dhe për të bërë histori në botën e futbollit dhe te Barcelona. Është në dorën e tij t’i përmbushë pritshmëritë.

The post Presioni i numrit 10; a mund ta përballojë Lamine Yamal krahasimin me Messin? appeared first on Telesport.