Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se protokollet e sigurisë nuk i përcakton ajo, e se në mbarë botën, ajo janë edhe më të rrepta.
Madje, u lavdëruar se i respekton kudo që shkon.
“Është praktikë në botë, kudo që kam udhëtu, nga Amerika te vendet Evropiane, çdo president, dhe familja e vet kanë mbrojtje të afërt, kanë protokolle të sigurisë që duhet t’i respektojnë. Unë kur udhëtoj jashtë vendit detyrohem të respektoj kontrolle të sigurisë shumëfish më strikte se që kemi këtu në Kosovë”, tha Osmani.
Por, presidentja Osmani vetëm pak kohë më parë kishte bërë skandal në aeroportin e Maqedonisë së Veriut në Shkup.
Kishte pasur rrezik edhe për përplasje fizike e përdorim të armëve, për një telefon që protokolli i sigurisë në aeroport, i kishte kërkuar Osmanit ta fuste në skaner.
“Në kundërshtim me këto rregulla, pala maqedonase ka marrë çantën personale të dorës së presidentes. Edhe pse kjo ishte kundër rregullave, ekipi i Presidentes e ka lejuar në mënyrë që Presidentja të hyjë në aeroport, konkretisht në sallën VIP, e cila ishte rezervuar me notë verbale të Ambasadës sonë, siç është praktika për udhëtimet e krerëve të shtetit. Mirëpo, për arsye të sigurisë, në asnjë mënyrë nuk është lejuar që të dorëzohet telefoni personal”, kishte thënë Bekim Kupina nga Presidenca.
“Vlen të përmendet se pas hyrjes së Presidentes në aeroplan, Aeroporti i Shkupit nuk e ka lejuar aeroplanin komercial të niset edhe për më shume se një orë, me pretekstin se shteti slloven nuk po e lejon nisjen, për shkak se nuk do të ishte gati për aterrim. Kabineti i Presidentes e ka kontaktuar palën sllovene të cilët na kanë informuar që një gjë e tillë absolutisht nuk është e vërtetë dhe se aeroplani do të mund të ateronte në kohën e planifikuar”, tha Kupina.
Këta të fundit e kishin akuzuar sigurimin e aeroport se e kanë shtyrë fizikisht presidenten. Kjo bëri që kryetari i Kuvendit në Maqedoni të Veriut, Afrim Gashi, t’i dërgojë truprojet e tij në aeroport, për ta thelluar skandalin. Aty kishte pasur tensione më pas ndërmjet dy palëve.
Ndërkohë, kishte reaguar aeroporti i Shkupit për këtë incident, duke thënë se veprimet e forcave të sigurisë kanë qenë në përputhje me ligjet në fuqi, pasi kanë detyrim të ushtrojnë kontroll për të gjithë pasagjerët. Në reagim thuhet se edhe pasagjerët që udhëtojnë në pjesën VIP janë gjithashtu subjekt i kontrolleve.
“TAV Maqedonia informon se në pajtim me Ligjin për Aviacionin dhe rregulloren ligjore ndërkombëtare lidhur me sigurinë e aviacionit civil … operatori i aeroportit e ka detyrim ligjor të kryejë kontroll sigurie të të gjithë pasagjerëve, bagazheve dhe mallrave”, thuhet në reagim.
Ministria e Jashtme e Kosovës kishte dërguar notë proteste në Maqedoni të Veriut, dhe kjo kishte nxitur edhe debate të ashpra në Shkupin zyrtar.