Presidentja pret në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

Në takim nga presidenca thuhet se u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend.

Presidentja shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën dhe popullin tonë.

Tutje, ajo theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të Republikës së Kosovës për të thelluar bashkëpunimin me Mbretërinë e Bashkuar dhe për të hapur kapituj të rinj të partneritetit që kontribuojnë në arritjen e objektivave të përbashkëta.

Gjatë bisedës u theksua edhe rëndësia e ruajtjes së një mjedisi demokratik, ku respektohen mendimet e ndryshme dhe debati publik zhvillohet në mënyrë të përgjegjshme.

Në këtë kontekst, u theksua se gjuha kërcënuese dhe bullizuese është e papranueshme dhe nuk duhet të ketë vend në diskursin publik.