Presidentja për bllokadën institucionale: Nëse s’ka zgjidhje deri në fundjavë, i drejtohem Kushtetueses

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se nëse edhe gjatë këtij vikendi nuk ka institucione, apo ndonjë marrëveshje deri në fund të javës i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

“Ne jemi duke përgatitur lëndën për Kushtetuese nëse edhe gjatë këtij vikendi nuk ka institucione, nuk ka ndonjë marrëveshje që mund të rezultojë me institucione të konstituara, atëherë në fillim të javës  ne i drejtohemi Kushtetueses”, u shpreh Osmani.

Në një konferencë për media, ajo ka theksuar se nuk i takon presidentit që të negociojë për arritjen e koalicioneve mes partive.

“Sa i përket takimeve, unë kam pasë takime me të gjithë liderët politikë, me disa jam edhe në komunikim të vazhdueshëm. Ne i vazhdojmë takimet, megjithatë nuk është roli i asnjë presidenti që të negociojë koalicione, ta keni të qartë unë atë e kam të ndaluar me Kushtetutë”.

“Në të njëjtën kohë dua të qartësoj që Kushtetuta nuk më lejon në këtë fazë ta shpërndajë Kuvendin dhe ta dërgojë vendin në zgjedhje. Pra, duhet të plotësohen disa kritere ligjore që akoma nuk janë plotësuar ende për një gjë të tillë, siç e dini kjo mund të ndodh në qoftë se shpërndahet Kuvendi, por ajo mund të bëhet pas konstituimit, në qoftë se dështon zgjedhja e qeverisë brenda një afati të caktuar e disa mundësi të tjera që për këtë rast nuk ekzistojnë.

“Mirëpo, negocimi i koalicioni është çështje që u takon partive, në të cilat nuk mund të ndërhyjë asnjë president. Pra, mund të bëjë thirrje duke përmendur dëmin që po i bëhet Kosovës, dhe rreziqet që mund t’i ketë Kosova, e shumë e shumë mundësi të cilat i humbim nëse nuk kemi konstituim”, u shpreh Osmani. /Klankosova.tv

The post Presidentja për bllokadën institucionale: Nëse s’ka zgjidhje deri në fundjavë, i drejtohem Kushtetueses appeared first on Kosovapost.net.