Me ftesë të Presidentit të Letonisë, Edgars Rinkēvičs, presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka udhëtuar për vizitë pune në Republikën e Letonisë.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kësaj vizite, Osmani do të pritet me nga homologu i saj leton, me të cilin përveç takimit tête-à-tête, do të zhvillojë takim pune me delegacionet përkatëse, si dhe do të marrë pjesë në drekën e punës të shtruar nga presidenti.
Pas takimeve, të dy presidentët do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media, me ç’rast Osmani do t’i dorëzojë Rinkēvičs medaljen ushtarake presidenciale për Forcat Mbrojtëse të Letonisë për kontributin e tyre për paqen dhe sigurinë si pjesë e KFOR-it.
Gjatë vizitës njëditore, shefja e shtetit do të vizitojë edhe Qendrën e Ekselencës së NATO-s për Komunikim Strategjik (STRATCOM), do të zhvillojë po ashtu edhe takime me përfaqësues të Odës Ekonomike të Letonisë, si dhe do të ketë një diskutim me ekspertë dhe akademikë për politikat që garantojnë paqe dhe siguri të qëndrueshme.
Vizita e presidentes synon forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërshtetërore me Letoninë, avancimin e bashkëpunimit bilateral në fushat e politikës së jashtme, mbrojtjes e sigurisë, ekonomisë, integrimit euroatlantik, si dhe shkëmbimit të përvojave në fuqizimin e institucioneve demokratike.
The post Presidentja Osmani udhëton drejt Republikës së Letonisë appeared first on Kosovapost.net.