Presidentja Osmani pret që Kuvendi i Kosovës të konstituohet deri më 26 korrik

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do t’i ftojë në takime ditët në vijim liderët e partive politike të Kuvendit të Kosovës, tha Zyra e Presidentes.

Sipas këshilltarit për media të presidentes Osmani, Bekim Kupina, presidentja pret që të zbatohet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese dhe seanca konstituive e Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të përfundojë brenda 30 ditësh, ashtu siç u kërkua me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Kupina tha për mediat në Kosovë se nëse paraqitet nevoja, presidentja Osmani, do t’i drejtohet edhe Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë.

“Presidentja Osmani do t’i ftojë liderët e partive politike në takime në ditët në vijim. Presidentja pret që partitë e përfaqësuara në Kuvend ta zbatojnë Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditësh, siç ka kërkuar Gjykata. Nëse paraqitet nevoja, Presidentja mbetet e gatshme t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë”, ka thënë Kupina.

Në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të 26 qershorit, është thënë se seanca konstituive duhet të përfundojë brenda 30 ditësh apo deri më 26 korrik 2025.

Deri më tani, Kuvendi i Kosovës ka pasur 39 përpjekje të dështuara për konstituim, për shkak se partia më e madhe në vend nuk ka arritur ta emërojë kryetarin e Kuvendit pa ndihmën edhe të votave të partive tjera, të cilat kanë kushtëzuar mbështetjen e tyre me ndryshimin e kandidates së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiut.

The post Presidentja Osmani pret që Kuvendi i Kosovës të konstituohet deri më 26 korrik appeared first on Kosovapost.net.