Presidentja në pajtim me VV-në, opozita kërkoi datë tjetër: Si u vendos për zgjedhjet më 28 dhjetor?

Legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës është shpërndarë të enjten nga presidentja Vjosa Osmani. Pas konsultimeve me liderë të partive politike, Osmani e ka caktuar 28 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, me gjithë që në partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë shprehën kërkesë që ato të mbahen 21 dhjetor.

Ka më shumë se dhjetë muaj që Kosova ka “ngecur” në aspektin politik.

Qytetarët e Kosovës nuk i’a dhanë besimin e plotë asnjërës parti që të udhëheqë më e vetme me shtetin.

“Zhagitje” pati nga partia që ushtonte detyrën e qeverisë e as vullnet politik nuk pati nga ndonjëra prej partive ish-opozitare që të ndihmonin në krijimin e një koalicioni që do të zgjidhte për katër vitet e ardhshmë udhëheqësinë e vendit.

Pas më shumë se dhjetë muaj pritje, kosovarët morën lajmin se edhe njëherë duhet t’ua msyjnë kutive të votimit. Për të katërtën herë vetëm këtë vit.

Mes 21 e 28 dhjetorit ishin datat e shumë diskutuara që i’u propozuan presidentes së vendit, Vjosa Osmani.

Sot ajo vendosi se e diela e fundit e vitit do të jetë ajo në të cilën edhe njëherë do të votojë sovrani.

“Në mesin e këtyre janë edhe procedura tenderuese e çka jo tjetër. Pra, të gjitha këto e bëjnë praktikisht të pamundshme edhe datën 21 dhjetor, rrjedhimisht data 28 dhjetor është data që kam vlerësuar se mbetet data e vetme e mundshme, sado që edhe kjo datë paraqet deri diku sfida për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”, shtoi Osmani teksa arsyetoi vendimin e saj për datën 28 dhjetor.

Reagime e zëra pati në shumicë, e në vecanti nga ish-opozita e Kosovës.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e mirëpriti caktimin e 28 dhjetorit si datë për mbajtjen e zgjedhjeve, duke e cilësuar si “datën më të përshtatshme”.

“Në të njëjtën kohë, duhet të sigurohemi që institucionet shtetërore kanë kohën e mjaftueshme për të bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që procesi zgjedhor të jetë i rregullt, i drejtë dhe demokratik”, tha ai përmes një postimi në Facebook pas caktimit të datës së zgjedhjeve nga Osmani.

Ndërkaq, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, tha se pavarësisht se data nuk është ajo që kishte kërkuar, partia është e gatshme për zgjedhje.

“Edhe pse në konsultimet tona ne i dhamë argumentet pse 21 dhjetori do të ishte më i drejtë, vendimi është marrë, data është caktuar. Tani është koha që të shikojmë përpara. PDK është e gatshme, me ekip, me program dhe me vizion”, tha Hamza përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se sot pas shumë kohe “pritja ka një fund”.

“Zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk janë thjesht për të vendosur kush udhëheq me një Qeveri. Këto zgjedhje janë për të vendosur se kush jemi ne dhe kush duam të jemi si vend; si popull, si gjeneratë”, shkroi ai në rrjetet sociale.

E Ramush Haradinaj, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, konstatoi “mosrespekt” nga Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës, ndaj partive që përbënin shumicën shqiptare në kërkesat e tyre për datën e zgjedhjeve 21 dhjetor, dhe vendosi në pajtim me VV-në.

“Ata që nuk i patën votat për qeveri i kërkuan 28, ne shumica kërkuam 21. Fitoi VV, Vjosa u dha të drejtë. Flet vet data, ajo e ka pas mundësinë me vlerësu palën tjetër, edhe arsyetimet tona. Ne kemi përvoja edhe dimë, ka mujt me na respektu si opozitë e shumicë. Sepse ne jemi shumica, nuk na respektoi presidentja”, tha ai.

Kosova po e përmbyll vitin ashtu siç e nisi – me zgjedhje. Ndërkohë, në Kuvend nuk u miratuan marrëveshje ndërkombëtare në vlerë rreth 200 milionë euro, buxheti i shtetit për vitin e ardhshëm, buxheti për Radiotelevizionin e Kosovës (RTK), si dhe buxhetet për tri komuna: Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok.