Presidentja i bashkohet Kurtit në bixhoz me aleancat: A do të hyjnë “all in”

Gati 1 vit më parë, kur po mbante fjalimin e fundvitit, presidentja Osmani, kishte goditur drejtpërdrejt Albin Kurtin.

E akuzonte se po luan bixhoz me aleancat, duke aluduar në raportet me Amerikën. Në atë kohë kur Vjosa Osmani, shihej si njëfarë garantuese e këtyre raporteve.

“Aleancat janë këtu për të na mbrojtur. Prandaj vënia në rrezik e tyre, luajtja bixhoz me to apo cenimi i tyre, cenon vetë mbrojtjen e Republikës sonë. Shihni deklarimet e liderëve të superfuqive botërore. Do të shihni qindra deklarata e fjalime se si çdo sfidë angazhohen ta kapërcejnë bashkë me aleatët sepse nuk mund t’ia dalin të vetëm. Prandaj asnjëherë nuk i kam kuptuar e as mirëkuptuar talljet që bëhen në llogari të aleatëve, as sulmet ndaj tyre, as keqpërdorimin e emrit të tyre për të fituar pushtet. Kjo nuk i bën nder Kosovës”, deklaronte Osmani.

Por, pa kaluar një vit, presidentja iu bashkua bixhozit.

Duke parë se po i vjen fundi i mandatit, në fakt, Osmani vetëm sa e ka rënduar dorën e bixhozit. E nisi me sulm ndaj Gjykatës Kushtetuese, e vazhdoi ndaj mediave, e së fundmi, u bë goxha e urtë për zhvillimet në raport me Amerikën.

Pasi Amerika vendosi ta pezullojë Dialogun Strategjik me Kosovën, Vjosa Osmani, bëri një reagim sikur të ishte shoqëri civile, e jo presidente. Ajo u shpreh e keqardhur dhe e shqetësuar, por asnjë fjalë nuk e tha për Albin Kurtin.

“Republika e Kosovës është ndërtuar mbi themelet e miqësisë së pathyeshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky raport nuk është vetëm diplomatik, por është pjesë ekzistenciale e identitetit tonë shtetëror dhe kombëtar. Drejt këtij qëllimi, angazhimi i Presidentes ka qenë dhe mbetet i palëkundur dhe i vazhdueshëm, siç është konfirmuar vazhdimisht nga lidershipi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë në letrën e fundit të Presidentit Trump drejtuar Presidentes Osmani të gushtit 2025. Prandaj, Presidentja shprehë keqardhje dhe shqetësim të thellë rreth vendimit për pezullimin e Dialogut Strategjik, një mekanizëm i rëndësishëm i bashkëpunimit në mes Kosovës dhe ShBA-ve”, tha Osmani.

Edhe pse Amerika e përmendi Kurtin me emër, presidentja kërkoi unitet politik. Por, pa e specifikuar me kënd.

“Çështja e aleancës me SHBA-të, është çështje strategjike që kërkon unitet politik dhe angazhim të të gjithëve në Kosovë. Qytetarët e Kosovës e dinë se liria e tyre u bë realitet edhe me ndihmën vendimtare të SHBA-ve dhe se pa këtë miqësi historike nuk do të kishim arritur kurrë këtu ku jemi sot. Presidentja e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të punojë ngushtë me Shtetet e Bashkuara në të gjitha fushat e interesit të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, demokratizimin e mëtejshëm të vendit tonë, ndërtimin e një të ardhmeje euroatlantike, si dhe mbrojtjen e vazhdueshme të sovranitetit, integritetit territorial dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, tha Osmani më tutje.

Tash, loja e bixhozit duket se ka marrë tjetër kahje. Por, a do të hyjnë “all in” mbetet të shihet.