Presidentja dhe opozita kërkojnë heqjen e taksës ndaj ShBA-së, Qeveria po e shqyrton

 

Presidentja Vjosa Osmani, opozita dhe odat ekonomike kanë kërkuar heqjen e taksës prej 10 për qind ndaj produkteve amerikane.

Ata kanë bërë se heqja e kësaj tarife do të kishte efekte të ndryshme në raportet në mes të dy vendeve. Sipas tyre, Qeveria duhet ta bëj një hap të tillë sa më shpejt që është e mundur. Kure, Qeveria në detyrë ka bërë me dije se është duke e shqyrtuar një gjë të tillë.

E para që i ka kërkuar qeverisë ndërmarrjen e një hapi të tillë ka qenë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Sot, zyrtarisht i kërkova Qeverisë së Kosovës që të pezullojë tarifat e importit për të gjitha produktet amerikane – një hap i rëndësishëm për të thelluar lidhjet ekonomike me aleatin tonë më të ngushtë dhe për të dërguar një mesazh të qartë: Kosova është e gatshme për një marrëdhënie më të fuqishme me Shtetet e Bashkuara, me një vizion të qartë që do t’i bënte të dyja vendet tona më të forta, më të sigurta dhe më të begata.”, ka shkruar ajo në llogarin “X”, duke treguar efektet e këtij vendimi.

“Jam i bindur se kjo lëvizje do të hapë mundësi të reja për krijimin e vendeve të punës, shkëmbimin e teknologjisë dhe rritjen ekonomike afatgjatë. Më shumë se një lëvizje ekonomike, ky është një objektiv i politikës së jashtme, duke riafirmuar përkushtimin tonë të qëndrueshëm ndaj Kosovës-SHBA. aleancë, e ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta të lirisë dhe dekada të mbështetjes së palëkundur”, ka shkruar ai.

Ndaj kërkesës së presidentes Osmani ka reaguar ministri në detyrë i financave, Hekuran Murati.

Ai e ka kritikuar shefen e shteti se pse e ka bërë publike ftesën e saj.

“Sot pas orarit të rregullt të punës, në lajme lexova që Presidentja e vendit i paska bërë kërkesë Qeverisë që të pezullojë tarifat ndaj produkteve me origjinë nga ShBA-të.

Kërkesa në email ishte dërguar në adresë të Qeverisë në 17:39, ndërkaq kjo gjë ishte bërë publike në rrjetin social X në 17:42, veç 3 minuta më vonë. Secili shtet serioz, këto çështje i trajton larg mediave, dhe publiku njoftohet kur të merret vendimi. Për më tepër, politikat fiskale bien në fushëveprimin e ekzekutivit, konkretisht ministrisë përgjegjëse për financa”, ka shkruar Murati në profilin e tij në “Facebook”.

Megjithatë, ai ka treguar se këtë cështje ëshët duke e shqyrtuar Qeveria në detyrë.

“Gatishmëria jonë si qeveri dhe si shtet për të pasur tregti të lirë e pa asnjë barrierë tarifore apo jo-tarifore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vazhdon të qëndrojë edhe më tej. Gjatë ditës së djeshme, kemi diskutuar me Kryeministrin në lidhje me implikimet e mundshme që ka vendimi i Presidentit Trump për vendosjen e tarifave ndaj të gjitha shteteve me të cilat SHBA-të kanë raporte tregtare”, ka shkruar ai duke dhënë disa detaje tjera.

“Kjo mund të arrihet përmes një marrëveshjeje për tregti të lirë, që do të shërbente edhe si një shkallë shtesë drejt ngritjes e forcimit të marrëdhënieve të forta që tashmë kemi. Shfrytëzoj rastin përmes këtij postimi që të njoftoj Presidenten, por edhe qytetarët, që si kabinet qeveritar ne veçse kemi qenë duke e shqyrtuar këtë temë. Dhe kurdo që merret një vendim patjetër që do t’ju njoftojmë me kohë”, ka shkruar ai.

Opozita dhe odat ekonomike njëzëri

Në anën tjetër, edhe opozita ka kërkuar heqjen e kësaj takse.

Sipas tij, një vendim i tillë nga ana e Kosovës do të vlerësohej shumë.

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka bërë me dije se nëse kjo parti formon qeverinë e re, taksa do ët hiqet shpejt.

“Raporti i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ka qenë kurrë një marrëdhënie transaksionale. Mbështetja që SHBA i ka dhënë Kosovës nuk matet me para. Ajo është ndërtuar mbi vlera të përbashkëta: liria, demokracia, dhe e drejta e popujve për të jetuar të lirë dhe të barabartë. Në marrëdhëniet ekonomike, Kosova ka pasur një status të privilegjuar në tregun amerikan. Kjo është dëshmi e respektit dhe besimit që Shtetet e Bashkuara kanë treguar ndaj nesh për dekada me radhë”, ka shkruar ajo në profilin e saj në “Facebook”.

Sipas saj, tarifa në fjalë ekziston nga koha e UNMIK-ut.

“Me ne në krye të qeverisë, ato tarifa do të hiqen menjëherë. Ky nuk është vetëm një akt politik i mençur – është një hap drejt një ekonomie më të hapur, më të fuqishme dhe më konkurruese. Është një angazhim për partneritet të vërtetë, që i shërben qytetarëve tanë, bizneseve tona, dhe zhvillimit të vendit”, ka shkruar ajo.

Një gjë të tillë e ka kërkuar edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Ai ka kërkuar nga Qeveria në detyrë që të heq taksën prej 10 për qind ndaj produkteve amerikane.

“HIQNI ÇDO TAKSË NDAJ”, ka shkruar Haradinaj.

Kurse, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka thënë se nëse Kosova e heq këtë tarifë, më pas mund të levizë edhe ShBA-ja.

“Po qe se Kosova lëviz përpara në mënyrë të njëanshme me ndërmarrjen e një mase preferenciale tregtare, duke tërhequr në tërësi tarifën doganore për produktet amerikane, mund të shpresojmë që i njëjti hap do të pasohet dhe do të hiqet nga Administrata amerikane.”, ka thënë Zeka për Radion Evropa e Lirë.