Presidenti Thaçi i fton deputetët që ta votojnë unanimisht Demarkacionin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që në seancën e së mërkurës të votohet në mënyrë unanime Demarkacioni me Malin e Zi.

Këtë njoftim Thaçi e ka kërkuar përmes llogarisë së tij zyrtare në “facebook”, ndërsa ka shtuar që pikërisht dita e nesërme është domethënëse për të ardhmen e europiane të Kosovës.

Presidenti Thaçi ka deklaruar se përveç votimit pro ratifikimit, gjithçka tjetër është vetëm një mashtrim.

Thaçi madje çështjen e Demarkacionit, e ka ndërlidhur edhe me vizitën e parë zyrtare të Presidentit të Komisionit Europian Jean-Claude Juncker.

Statusi i plotë i Presidentit Thaçi në “Facebook”:

“Nesër është ditë e veçantë, por edhe tepër domethënëse për të ardhmen tonë evropiane. Për herë të parë, shtetin tonë e viziton Presidenti i Komisionit Evropian me delegacion të nivelit më të lartë.

Ata nga ne presin votimin e demarkacionit për të konfirmuar publikisht zbatimin e kritereve për liberalizimin e vizave nga institucionet e Kosovës.

Edhe një herë, si president i vendit, ftoj gjithë spektrin politik të përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës që në seancën e nesërme, pa dallim etnie, të votojnë me unanimitet demarkacionin me Malin e Zi.

Qytetarët e Kosovës kanë nevojë imediate për lëvizje të lirë, si të gjithë evropianët e tjerë. Askush nuk ka të drejtë të mbajë peng të ardhmen evropiane të vendit.

As ata që pretendojnë të vendosin kushte të reja për votim dhe as ata që në një anë shprehin vullnetin e mirë për votimin e marrëveshjes, mirëpo kërkojnë shtyrjen e votimit. Përveç votimit pro ratifikimit, gjithçka tjetër është vetëm një mashtrim.

Prandaj, besoj në përgjegjësinë e deputetëve se nesër do të mendojnë e votojnë në shërbim të qytetarëve dhe asnjë prej tyre nuk do të futet në agjenda joevropiane.

Shtyrja eventuale apo mosvotimi pro ratifikimit nesër, nënkupton konfirmim të izolimit të qytetarëve të Kosovës nga të zgjedhurit e saj, në ditën më të rëndësishme të vizitës nga Presidenti i Komisionit Evropian. /Fokusi.info/