Peter Pellegrini, president i Sllovakisë, ka thënë pas një takimi me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, në Tiranë, se qëndrimi i shtetit sllovak për të mos e njohur pavarësinë e Kosovës s’ka të bëjë asgjë me kombin shqiptar, por me rregullat diplomatike të këtij shteti aktualisht.
Pas vizitës në Shqipëri, në një konferencë për media, Pellegrini u shpreh se Begaj i ka kërkuar njohjen e Kosovës dhe mbështetje për pranim në organizata ndërkombëtare.
“Nuk do i shmangem pyetjeve për Kosovën, ne i kemi diskutuar këto me presidentin Begaj. Unë kam përfaqësuar pozicionin e Sllovakisë për këtë, apo në përgjithësi të vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën. Kjo është në bazë të një vendimi, nuk ka të bëjë fare me popullin e Shqipërisë, me kombin shqiptar. Për ne kombi shqiptar është një komb mik, dhe kjo nuk ka të bëjë fare me qëndrimin tonë negativ kundrejt Kosovës. Kjo është e bazuar në rregullat e diplomacisë tonë për momentin, por unë e informova presidentin për dialogun e lartë ndemjet Serbisë dhe Kosovës, për çështjet e sigurisë në rajon. Ramë dakord me presidentin që është e nevojshme që të vendosim ura dhe jo mure”, tha presidenti sllovak në konferencën për shtyp.
Sllovakia është një nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian që ka refuzuar njohjen e Kosovës. Pos saj, Kosovën nga anëtaret e BE-së nuk e njohin edhe Spanja, Rumania, Qiproja dhe Greqia.