Presidenti serb do shkojë në paradën e 9 majit në Rusi

Presidenti serb Alekdsandër Vuçiç tha se nuk e ka ndryshuar vendimin për të udhëtuar drejt Rusisë për të marrë pjesë në Paradën e Ditës së Fitores më 9 maj.

Në një fjalim Vuçiç tha se do të shkojë në kryeqytetin rus me një njësi të Ushtrisë së Serbisë, e cila do të marrë pjesë në ceremoni.

Presidenti serb tha se deri tani nuk e ka ndyrshuar vendimin për të shkuar në Rusi, por do të shohë si do të shkojnë gjërat.

Megjithatë Vuçiç e pranoi se kjo lëvizje, mund të përballet me masa ndëshkuese nga Bashkimi Europian.

Ai theksoi se nuk ka qenë në Moskë për më shumë se tri vjet dhe se nuk është takuar zyrtarisht me Vladimir Putin që nga nëntori i vitit 2021, ndryshe nga shumë liderë evropianë.

Edhe Presidenti i Republika Srpska, Milorad Dodik tha se ai do të shkojë në Moskë në 9 maj dhe theksoi se nuk ka frikë nga sanksionet e Bashkimit Europian.

Bashkimi Europian ka paralajmëruar liderët e Ballkanit të mos marrin pjesë në paradën e Ditës së Fitores, gjatë së cilës Rusia shënon rënien e forcave naziste.

Shefja e politikës së jashtme e unionit, Kaja Kallas tha se BE e ka bërë të qartë se nuk do që vendet kandidate të marrin pjesë në ngjarjet e 9 majit.

Pavarësisht thirrjeve nga Brukseli, Serbia nuk ka pranuar të vendosë sanksione ndaj Rusisë, pas fillimit të luftës në Ukrainë më shumë se 3 vjet më parë.