Presidenti i Shqipërisë përkujton dëshmorin e UÇK-së, Indrit Cara, inaugurohet monumenti në nder të heroit nga Kavaja

Presidenti i Shqipërisë , Bajram Begaj, mori pjesë sot në ceremoninë përkujtimore të “Dëshmorit të Kombit” Indrit Cara, në 26-vjetorin e rënies së tij në luftën për çlirimin e Kosovës.

Në këtë rast u inaugurua monumenti kushtuar heroit nga Kavaja.

Presidenti vendosi një kurorë me lule në shtatoren e “Ushtar Kavajës” si shenjë respekti për sakrificën e Carës, i cili la jetën në frontin e luftës për lirinë e Kosovës.

Në fjalën e tij, Begaj theksoi vendosmërinë dhe atdhedashurinë e Indrit Carës, i cili la Anglinë për t’iu bashkuar luftës për liri, duke e cilësuar atë një simbol të guximit dhe frymëzimit për brezat e rinj.

WhatsApp Image 2025-03-31 at 14.21.56 (1)WhatsApp Image 2025-03-31 at 14.21.56 (1)

Ai lindi në Kavajë, por sot i takon Kosovës, i takon Shqipërisë, i përket shqiptarisë. Indrit Cara është shembull dhe simbol i guximit, një frymë e pastër atdhedashurie dhe një zemër që rrahu fuqishëm për lirinë e kombit shqiptar,” u shpreh presidenti shqiptar.

Duke e vlerësuar sakrificën e tij si një udhërrëfyes për të ardhmen, ai nënvizoi rëndësinë e mbajtjes gjallë të amanetit të dëshmorëve për një komb të bashkuar dhe një Kosovë të fortë e të lirë.

Në vijim të ceremonisë, Presidenti Begaj përmendi me nderim edhe figurat historike që udhëhoqën përpjekjet për çlirimin e Kosovës, duke përfshirë Ibrahim Rugovën, Adem Demaçin dhe Adem Jasharin, ndërsa theksoi përgjegjësinë e politikës dhe shoqërisë për të ruajtur vlerat dhe idealet për të cilat ata luftuan.

Gjatë vizitës në Kavajë, Presidenti u prit nga kryetari i bashkisë, Fisnik Qosja, dhe zhvilloi një takim me të, ndërsa vizitoi edhe Muzeun Etnografik të qytetit, i cili është restauruar së fundmi.

Fjala e presidentit Bajram Begaj

Tungjatjeta vëllezër, djemtë e Dardanisë
Jam Ushtar Kavaja, balli i trimërisë
Vëllai i Adem Jasharit, nip i Skënderbeut
Në vetë do t’ia qepim, vetë, hartën atdheut

Në fakt, janë disa cilësi dhe vlera që na dallojnë si individë, si familje, si shoqëri.

Unë jam shumë i bindur se atdheu, nderi dhe detyra janë disa cilësi dhe vlera që Indrit Cara na i la trashëgimi. Na i la trashëgimi ne si shoqëri, Shqipërisë dhe Kosovës, kombit shqiptar. Ia la trashëgimi familjes Cara dhe shumë më tepër nënës dhe vëllait të Indritit, Dorianit.

I dashur Dori,

Familja Cara duhet të jetë shumë e lumtur dhe krenare sot. Indriti është shembyll frymëzimi i këtyre vlerave për të gjithë ne, për të gjithë shoqërinë shqiptare.

Të nderuar familjarë të dëshmorit Indrit Cara, Miq dhe bashkëkombës,

Kënaqësi të jemi sot së bashku në këtë ngjarje të rëndësishme të historisë së qytetit të Kavajës, por jo vetëm.

Jemi mbledhur sot për të nderuar kujtimin e birit të shquar të kombit tonë, Indrit Carës, një djalë i ri, por me një shpirt të madh.

Ai lindi në Kavajë, por sot i takon Kosovës, i takon Shqipërisë, i përket shqiptarisë.

Indrit Cara është shembull dhe simbol i guximit, një frymë e pastër atdhedashurie dhe një zemër që rrahu fuqishëm për lirinë e kombit shqiptar.

Ai është një emër i gdhendur në historinë e kombit tonë, një model frymëzimi që tregon rrugën për të rinjtë tanë: frymën e sakrificës, forcën e unitetit dhe rëndësinë e veprimit për të mirën e kombit tonë.

Në dhjetor të vitit 1997, Indriti shkroi: I bëj thirrje të gjithëve që e ndiejnë veten sadopak shqiptarë të ndihmojnë luftën, këtë filiz shprese, force e krenarie, ta ndihmojmë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për t’u përballur me ushtrinë serbe.

Ai ishte vetëm 28 vjeç kur iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke luftuar me vendosmëri dhe sakrificë.

Më 31 mars 1999, për të mbrojtur dhjetëra mijëra civilë, burra, gra e fëmijë në zonën e Pashtrikut, Ushtar Kavaja mori detyrën të rimerrte dhe të mbronte majën e malit të Gallushës, detyrë të cilën e realizoi me sukses, por Indriti ra dëshmor.

Ai u ngrit përjetësisht në pavdekësi.

Dhe, si në baladat e lashta shqiptare, në tetor të vitit 1999 eshtrat e Indritit u kthyen të preheshin në vendlindje. Ushtar Kavaja u shndërrua dhe iu kthye si engjëll Kavajës dhe familjes së tij.

Në nderim të veprës së tij, Presidenti i Republikës e dekoroi Indritin me dekoratën e lartë “Shqiponja e Artë”.
Presidentja e Kosovës e nderoi me titullin “Heroi i Kosovës”.
Bashkia e qytetit të Kavajës dhe Këshilli i Rrethit e shpallën “Dëshmor të Kombit dhe Atdheut”. Në përkujtim të tij, bulevardi kryesor mban emrin e tij dhe shkolla 8-vjeçare ku Indriti mësoi mban emrin e tij.

Ndërsa përkulemi me respekt para emrit dhe veprës së Indrit Carës, e kujtojmë jo vetëm me dhembje, por edhe me një angazhim të përhershëm për të mos e lënë të shuhet ëndrrën për të cilën ai dha jetën.

Sakrifica e tij shërben si një busull për të ardhmen tonë, për një komb të bashkuar, për një shqiptari të fortë, për një Kosovë që ecën përpara, e lirë dhe krenare.

Në këtë rast solemn, në këtë ditë të shënuar, kujtojmë dhe përkulemi me respekt dhe nderim para figurave të shquara, si Ibrahim Rugova, Adem Demaçi dhe komandantit legjendar Adem Jashari e shumë e shumë të tjerë, të cilët, me jetën dhe veprën e tyre për lirinë e pavarësinë e Kosovës, lanë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën dhe historinë e kombit shqiptar.

Sot jemi dy shtete, por nuk duhet të harrojmë se kemi qenë, jemi e do të mbetemi një komb, me një gjuhë, traditë e kulturë.

Ndër shekuj është derdhur shumë gjak, është shpenzuar shumë mund dhe është sakrifikuar shumë që ne sot të trashëgojmë identitetin tonë unik, identitetin shqiptar, si një ndër popujt më të lashtë, jo vetëm të këtyre trevave, por dhe të Evropës.

Këtë identitet, që vjen si amanet historik i paraardhësve tanë, duhet ta ruajmë me kujdes, duhet ta ruajmë të mos ta shesim, të mos ta ndërrojmë me asnjë lloj identiteti të stisur apo të shpikur.
Shqipëria dhe Kosova janë shtete të pavarura, por jo të ndara.

Ne si komb duhet të punojmë së bashku dhe të sigurojmë që ideali i Indritit dhe i të gjithë dëshmorëve do të vijojë të jetojë në veprimet tona të përditshme.

Kjo nuk është thjesht detyrë e politikës, por është përgjegjësi e çdo qytetari, e çdo brezi.

Për ata, të cilët do të vijnë pas nesh, shembulli i Indritit duhet të mbetet një simbol udhërrëfyes.

Ai na mëson se për të pasur një komb të fortë, të bashkuar dhe të përparuar, ne duhet të veprojmë me integritet, guxim e trimëri, duhet ta mbështesim njëri-tjetrin duke vendosur interesat tona kombëtare mbi gjithçka.

Për të ardhmen tonë, për të ardhmen e shqiptarëve, jam i sigurt se mundësitë janë të jashtëzakonshme.

Me integrimin tonë në strukturat Euroatlantike, Shqipëria dhe Kosova do të kenë mundësinë të realizojnë aspiratat për paqe, siguri, zhvillim dhe prosperitet.

Prandaj dhe ne sot përkulemi me nderim përpara emrit dhe veprës së dëshmorit Indrit Cara.

Kujtimi i tij do të jetojë përjetësisht në zemrat e shqiptarëve, ashtu si dhe ideali për të cilin ai i dedikoi jetën kombit.

Lavdi Dëshmorit të Kombit, Indrit Cara!
Lavdi të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë tonë!
Lavdi qytetarisë kavajase!