Gana ishte shteti i 86-të anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara që e njohu pavarësinë e Kosovës më 23 janar 2012.
Këshilltari i ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacolli, Jetlir Zyberaj, të hënën, në emër të Pacollit ka takuar presidentin e ri të Ganës, John Dramani Mahama – i emëruar në këtë pozitë më 7 janar të vitit 2025 – ka uruar Mahama-n për fitoren në zgjedhjet presidenciale.
Siç ka njoftuar ai nëpërmjet një postimi në platformën sociale, Facebook, Mahama ka shprehur dëshirën për të “zhvilluar një vizitë zyrtare në Kosovë” për të shprehur “mbështetjen e tij ndaj vendit tonë”.
“Në një takim miqësor, me presidentin Dramani biseduam për rithëmelimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Ganës, të cilat u krijuan në vitin 2012 nga Presidenti Pacolli dhe Presidenti i Ganës atë kohë, John Atta Mills. Gjatë asaj periudhe presidenti Dramani ushtronte funksionin e zëvendëpresidentit”, ka shkruar ai.
Gana ishte shteti i 86-të anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara që e njohu pavarësinë e Kosovës më 23 janar 2012.
Asokohe lajmin e kishte kumtuar ish-zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë, Behgjet Pacolli.
Megjithatë Gana, në nëntor të vitit 2019, sipas agjencisë së lajmeve Franceze (AFP) e kishte tërhequr njohjen e Kosovës.
“Qeveria e Ganës ka vendosur të tërheqë njohjen e Kosovën si një shtet i pavarur”, i kishte thënë ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Ganës, Charles Owiredu, agjencisë AFP.
Arsyet e tërheqjes së njohjes asokohe i ishte komunikuar edhe Serbisë.
“Vendimi për njohjen e Kosovës doli të ishte i nxituar”, thuhej në njoftimin e autoriteteve të Ganës.