Një foto me mbishkrimin “President Trump: The President of Peace” është shpërndarë në faqen zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit në Facebook, duke e paraqitur presidentin amerikan Donald Trump si liderin që “përfundoi tetë luftëra në tetë muaj”.
Në posterin e publikuar, listohen disa vende ku thuhet se Trump ka ndërmjetësuar për t’i dhënë fund konflikteve: Kosova dhe Serbia, Izraeli dhe Irani, Armenia dhe Azerbajxhani, Egjipti dhe Etiopia, si dhe Izraeli dhe Hamasi.
Ndërkohë, Qeveria e Izraelit ka ratifikuar një marrëveshje për armëpushim me grupin militant palestinez Hamas, duke hapur rrugën për ndalimin e luftimeve në Rripin e Gazës brenda 24 orëve dhe për lirimin e pengjeve izraelite nga enklava palestineze.
Sipas marrëveshjes, pengjet izraelite do të lirohen në këmbim të të burgosurve palestinezë, ndërsa trupat izraelite do të tërhiqen gradualisht nga Gaza — një nismë që, sipas burimeve amerikane, ka ardhur me ndërmjetësimin e presidentit Donald Trump, në përpjekje për t’i dhënë fund luftës dyvjeçare në Gaza.