Presidenti i Letonisë, Edgars Rinkēvičs tha se erdhi në Kosovë për disa arsye. E para tha se ka të bëjë me diskutimin bilateral që ai e pati në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani për avansimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Më tej ai përmendi diskutimin për stabilitetin rajonal dhe mbështetjen që mund ta ofrojë Bashkimi Europian për Kosovën.
Rinkēvičs tha se u diskutua edhe çështja e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, të cilat tha se duhet të hiqen.
“Po ashtu diskutuam për çështjen e heqjes së masave kufizuese që janë vendosur ndaj Kosovës dhe thashë që qëndrimi i vendit tim është që BE-ja duhet t’i heqë ato”, tha ai.
Ai tha se “do të kthehem dhe të diskutojë me kolegët e mi për këtë, do të shohim se çfarë mund të bëjmë”.
“Për këtë avokojmë në BE dhe do të vazhdojmë ta bëjmë. Bindja ime është se sa më herët që bëhet kjo, aq më mirë do të jetë”, tha Rinkēvičs.
Presidenti letonez tha se një arsye tjetër pse ai është në Kosovë është edhe fakti se shteti i tij ka kontigjentin më të madh ushtarak që shërben në kuadër të KFOR-it. Tha se Letonia “është e interesuar për stabilitetin”.
“Letonia e mbështet plotësisht integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe diskutuam gjegjësisht anëtarësimin në Këshillin e Europës. E keni mbështetjen tonë të plotë. Gjithmonë ju kemi mbështetur për anëtarësimin e plotë aty dhe besojmë që kjo mund ta hapë rrugën edhe për organizatat e tjera ndërkombëtare”, tha ai ndër tjerash.
Ai tha se ka ende “shumë mundësi për t’i përmirësuar marrëdhëniet tregtare” ndërmjet Kosovës dhe Letonisë, ndërsa përmendi edhe marrëdhëniet politike.
Farmaceutika dhe teknologjia e informacionit, ai tha se janë dy sektorë ku mund të bashkëpunohet më shumë.