Presidenti i KE-së: Heqja e masave lidhet me shtensionimin në veri, shpresoj që ngjarjet e fundit të jenë përjashtim

Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, ka thënë se do të donte të kishte depërshkallëzim që të mund të hiqen masat. Ai ka aluduar edhe në veprimet e fundit të institucioneve të Kosovës duke thënë se shpreson që ato të mos jenë një prirje e re, por një përjashtim

 

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka deklaruar se heqja e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës është e kushtëzuar me shtensionimin e situatës në veri të vendit, duke shprehur shpresën se ngjarjet e fundit nuk përfaqësojnë prirje të re destabilizuese.

“Këto masa janë të lidhura me nevojën për të deskaluar tensionet në rajon dhe në veri të vendit. Dëshiroj që sa më shpejt të arrihet shtensionimi dhe të mund të ecim përpara drejt heqjes së këtyre masav”, u shpreh Costa të mërkurën në konferencë për media.

Ai theksoi se e ardhmja evropiane e Kosovës është e lidhur ngushtë me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe me përkushtimin ndaj dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

“Shpresoj që ngjarjet e fundit të mos përfaqësojnë prirje të re, por të jenë përjashtim që konfirmon se jeni të angazhuar për të shtensionuar situatën dhe për të ecur përpara në rrugën evropiane”, ka thënë ai.

Costa e quajti zgjerimin e BE-së drejt Ballkanit Perëndimor si “investimin më të madh gjeopolitik” të Bashkimit Evropian.

“Është një mundësi e madhe për Ballkanin Perëndimor dhe është thelbësore që të vazhdohet me agjendën e reformave dhe të përfitohen benefitet e saj. Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është në dobi të qytetarëve dhe ky proces është jetik për rrugëtimin tuaj drejt Bashkimit Evropian”, theksoi Costa.

Presidentja Vjosa Osmani, pas takimit me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa ka kërkua nga BE që të hiqen masat ndaj Kosovës.

Ajo kërkoi që Kosovës t’i hapet rruga drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe bëri thirrje për heqjen e masave të vendosura nga BE, të cilat, sipas saj, po dëmtojnë drejtpërdrejt qytetarët.

“Shpresojmë që shtetet anëtare më në fund të pajtohen për heqjen e masave që po dëmtojnë qytetarët tanë. Çdo minutë më shumë me këto masa, është një pengesë për jetësimin e ëndrrës evropiane. Është koha që aplikimi i Kosovës të trajtohet me prioritet dhe Komisioni Evropian të mandatohet për ta shqyrtuar atë,” tha Osmani.

Osmani i kërkon Costas heqjen e masave: Çdo minutë është padrejtësi ndaj Kosovës