Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier tha se rendi ligjor ndërkombëtar duhet të jetë pjesë e identitetit gjerman, por sugjeroi që Berlini të shmangë futjen e vendit në një konflikt të mundshëm me Gjykatën Ndërkombëtare Penale në lidhje me urdhërarrestin kundër kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.
“Ne, në veçanti, duhet ta bëjmë rendin ligjor ndërkombëtar pjesë të identitetit tonë”, tha Steinmeier.
“Ky është një apel për të mos injoruar të drejtën ndërkombëtare, por për të shmangur testimin e saj në këtë rast”, vazhdoi presidenti gjerman.
Bëhet e ditur se Steinmeier u pyet për mundësinë që kancelari gjerman Friedrich Merz të injorojë urdhërarrestin, raporton Politico.
Pasi fitoi zgjedhjet në fillim të këtij viti, Merz tha se Berlini “do të gjente mënyra dhe mjete që Netanyahu të vizitonte Gjermaninë dhe të largohej përsëri pa u arrestuar”.
Raportohet se urdhërarresti i GJND-së kundër Netanyahut është për akuzën e dyshuar si përgjegjës për krime lufte, duke përfshirë përdorimin e urisë si mjet lufte, dhe për krime kundër njerëzimit.
Urdhërarresti do të thotë që vendet që mbështesin gjykatën, përfshirë Gjermaninë, janë të detyruara ta arrestojnë Netanyahun nëse ai hyn në kufijtë e tyre.
“Mendoj se është një ide krejtësisht absurde që një kryeministër izraelit nuk mund të vizitojë Republikën Federale të Gjermanisë”, ka thënë Merz.
Ndërkohë, BE-ja ka zbuluar se veprimet e Izraelit në Rripin e Gazës mund të kenë shkelur kushtet e marrëveshjes së asociimit të vendit me bllokun përmes shkeljes së të drejtave të njeriut në Gaza.
The post Presidenti gjerman: Duhet të balancojmë me kujdes ligjin ndërkombëtar dhe miqësinë me Izraelin appeared first on Kosovapost.net.