Presidenti Erdoğan mbërrin në Holandë për Samitin e NATO-s

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan mbërriti në Holandë për të marrë pjesë në Samitin e krerëve të shteteve dhe qeverive të NATO-s dhe për të zhvilluar bisedime dypalëshe në kuadër të samitit, raporton Anadolu, transmeton KosovaPost.

Presidenti Erdoğan u prit në aeroportin “Schiphol” të Amsterdamit nga zyrtarë holandezë si dhe nga përfaqësuesi i përhershëm i Turqisë në NATO, Basat Öztürk dhe ambasadori në Hagë, Selçuk Ünal.

Pas pritjes, Erdoğan u nis për në Hagë ku do të mbahet samiti.

Gjatë vizitës së tij në Holandë presidenti Erdoğan shoqërohet nga bashkëshortja e tij Emine Erdoğan, ministri i Punëve të Jashtme Hakan Fidan, ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Yaşar Güler, drejtori i Inteligjencës turke (MIT), İbrahim Kalın, drejtori i Komunikimit të Presidencës, Fahrettin Altun dhe këshilltari i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë i Presidentit, Akif Çağatay Kılıç.

Në samit pritet që presidenti Erdoğan të zhvillojë bisedime dypalëshe me disa krerë shtetesh dhe qeverish si dhe të shkëmbejë pikëpamje strategjike mbi kërcënimet dhe rreziqet për rajonin euroatlantik.

Axhenda kryesore e samitit do të jetë një angazhim i ri për investime në mbrojtje për të rritur shpenzimet e mbrojtjes të aleatëve në nivelin që nevojit mjedisi aktual i sigurisë.

Në samit do të vlerësohen gjithashtu përpjekjet e Aleancës në fushën e parandalimit dhe mbrojtjes kundër kërcënimeve kryesore të identifikuara nga NATO.

The post Presidenti Erdoğan mbërrin në Holandë për Samitin e NATO-s appeared first on Kosovapost.net.