Presidenca e Kosovës ka dalë me reagim rreth një fotografie të manipuluar që po qarkullon në rrjete sociale, ku fotoja e Presidentes Vjosa Osmani është montuar në një foto ku shihen Kryeparlamentarja e Serbisë, Ana Brnabiq dhe Kryediplomati i Serbisë, Marko Gjuriq.
Në reagimin e Presidencës thuhet se ky montazh është ndërtuar që të krijojë konfuzion dhe ta dëmtojë figurën e Presidentes Osmani.
Ky institucion i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës dhe autoriteteve kompetente që të ndërmarrin veprime.
“Përdorimi i materialeve të rreme për ta goditur Presidenten është jo vetëm i ulët, por edhe i rrezikshëm. Këto tentime për përhapje të dezinformatave nuk janë të rastësishme dhe janë pjesë e një fushate të mirë-organizuar që synon të baltosë Presidenten e Republikës. Presidentja Osmani ka qenë dhe mbetet një zë i fuqishëm i shtetësisë, sovranitetit dhe dinjitetit të Kosovës dhe asnjë foto e rreme nuk mund ta zbehë këtë.
U bëjmë thirrje Policisë së Kosovës dhe autoriteteve kompetente që të ndërmarrin veprimet e nevojshme ndaj këtyre dezinformatave, të cilat jo vetëm cenojnë sigurinë publike, por përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për institucionet dhe për stabilitetin e vendit”, thuhet në reagim.
Në fund theksohet se përhapja e dezinformatave të tilla duhet të trajtohet me seriozitet maksimal.











