Presidenca përmbledh vizitën e Osmanit në ShBA, jep detaje rreth temave që diskutoi me zyrtarët e lartë amerikanë

Presidenca e Kosovës i ka bërë një përmbledhje vizitës së Presidentes Vjosa Osmani në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Aty janë përmbledhur takimet që ka zhvilluar Osmani me zyrtarë të lartë amerikanë dhe përfaqësues të Kongresit, siç është thënë, për të thelluar partneritetin strategjik ndërmjet Kosovës dhe ShBA’së.

Aty përmendet takimi me Zv. Sekretarin amerikan të Shtetit, Christopher Landau, Ndihmës Sekretarin në detyrë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Brendan Hanrahan, Ambasadoren Dorothy Shea, të ngarkuar me punë në Misionin e SHBA-ve në OKB, Senatorin Andy Kim dhe Kongresistin Ritchie Torres.

Në takimin me  Landau thuhet se Osmani diskutoi për ndërtimin e kapitujve të rinj të bashkëpunimit strategjik, në përputhje me vizionin e Administratës Trump – me fokus në siguri, zhvillim dhe investime strategjike.