Presidenca i ka bërë një përmbledhje vizitës së të parës së shtetit të Kosovës, Vjosa Osmani në Washington, ku mori pjesë në takimin inaugurues të Bordit të Paqes, me ftesë të të homologut amerikan, Donald Trump.
Në njoftim ndër të tjera thuhet se si shtet bashkëthemelues përkrah SHBA-ve, Kosova u lartësua në arenën ndërkombëtare dhe u afirmua si shtet në shërbim të paqes dhe sigurisë globale.
“Përgjatë takimit inaugurues të Bordit të Paqes, Presidentja Osmani pati mundësi të diskutonte me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump dhe shumë zyrtarë të kabinetit të tij.
“Gjatë qëndrimit në Washington D.C., Presidentja u prit në takim nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, me të cilin diskutuan për hapa konkretë të bashkëpunimit bilateral, me fokus në forcimin e mëtejmë të partneritetit strategjik Kosovë–SHBA, avancimin e integrimit të Kosovës në NATO, dhe rëndësinë jetike të bashkëpunimit në mbrojtje e ekonomi”.
“ Presidentja Osmani, po ashtu, është takuar me Zyrtarin e Lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Brendan Hanrahan. Ajo me ketë rast është takuar gjithashtu me Drejtorin e Lartë për Evropë dhe Rusi në Këshillin Kombëtar të Sigurisë dhe Këshilltarin Special të Presidentit Trump, Charles McLaughlin, si dhe me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Daniel J. Lawton”.










