Presidenca konfirmon se ka pranuar letër për seancën konstituive, analizon hapat e mëtejmë

Presidenca e Kosovës ka konfirmuar se sot në adresë të saj, ka arritur letra e kryesuesit të seancës së djeshme konstituive për konstituimin e institucioneve të reja të vendit, Avni Dehari.

“Letra sapo ka ardhur në Presidencë dhe ekipi ligjor i Presidencës është duke e analizuar, për t’i propozuar Presidentes hapat e mëtejmë”, tha Bekim Kupina, këshilltar për Media i presidentes Osmani.

Ndryshe kryesuesi i seancës së djeshme konstituive për konstituimin e institucioneve të reja të vendit, Avni Dehari, sot në një deklaratë për RTK-në, ka thënë se do t’i kërkoj interpretim mbi situatën e krijuar dje në seancë.

Dehari po ashtu ka thënë se një seancë e re nuk dihet nëse do të mbahet brenda 48 orëve, ashtu siç parashihet, siç tha derisa nuk merr interpretim ose përgjigje nga presidentja e vendit.

Ai, dje ndërpreu seancën, pasi tha se s’ka shumicë për vijim të saj, pas situatës së krijuar me mosvotimin e raportit për konfirmimin e mandatave.