Presidenca e Kosovës ka paraparë të shpenzojë rreth 70 mijë euro për të blerë 75 pajisje elektronike për mbajtjen e shënimeve, një tender që me titullin e vet modest fsheh një luks të qartë teknologjik, shkruan Demokracia.com.
Pas fjalëve të buta “pajisje për mbajtjen e shënimeve” qëndron në fakt blerja e tabletëve të nivelit të lartë, me lapsa origjinalë, kufje wireless dhe mbulesa magnetike, me specifikime që praktikisht i përkasin iPad Pro 11-inch të Apple.
Në dokumentet e tenderit kërkohet ekran me frekuencë 120Hz, rezolucion 2360×1640 pikselë, procesor me “Neural Engine” dhe laps magnetik, kushdo që njeh teknologjinë e di se këto janë karakteristika ekskluzive të pajisjeve më të shtrenjta të Apple.
Në total, rreth 930 euro për një tablet që do të përdoret, sipas përshkrimit zyrtar, “për mbajtjen e shënimeve”. Pyetja lind vetvetiu se a do të mbahen këto shënime në True Tone, me Audio Hapësinor dhe karikim magnetik, apo thjesht duhej një mënyrë më moderne për të shënuar takimet?
Shumë institucione publike kanë nevojë për pajisje bazike, por Presidenca ka zgjedhur të investojë në teknologjinë e klasës premium, duke e bërë “mbajtjen e shënimeve” një aktivitet që kushton sa një pagë mesatare për çdo tablet. E gjitha kjo, në emër të punës më efikase, por me stil, ngjyrë argjendi dhe markë të njohur botërore.
Në Kosovë mësues ende mbajnë shënime në fletore dhe zyrtarët lokalë ndajnë një kompjuter për disa punonjës. /Demokracia.com/