Romelu Lukaku flet nga grumbullimi i Napolit në “Castel di Sangro”, në prag të miqësores me Girona, e planifikuar për nesër në orën 19:00: “Objektivi është të mbrojmë titullin, por e nisim të gjithë nga zero. Duhet të bëjmë përgatitje të mira, të punojmë fort, ta ngremë nivelin e skuadrës. Në disa miqësore nuk kemi marrë rezultat pozitiv, por duhet të shikojmë përpara dhe t’i përmirësojmë të metat. Të provojmë t’i fitojmë të tilla teste, pavarësisht lodhjes, për ta nisur sezonin e ri me ndjesi të mira”.
Disa fjalë edhe rreth trajnerit Antonio Conte, me të cilin e lidhin shumë gjëra: “Gjithmonë përpiqet të më motivojë që të jap më të mirën time. Në debat mund të jetë shumë i ashpër, por ndonjëherë është edhe i butë. Varet nga momenti, të kuptuarit e njëri-tjetrit ka qenë gjithmonë forca jonë. Jemi këtu për të fituar, ai e di që jap gjithçka për skuadrën dhe për të. Nuk kam pasur kurrë frikë se ai do të largohej pas titullit kampion”.
Mbi marrëdhënien me Kevin De Bruyne: “Unë dhe Kevin kemi folur disa herë para firmës. Marrëdhënia jonë nuk bazohet shumë te futbolli, por më tepër në nivel njerëzor. Ne e njohim njëri-tjetrin që nga fëmijëria. Kur ishim 13 vjeç, unë luaja tek Anderlecht dhe ai te Genk, debutuam në të njëjtin sezon, karrierat tona nisën bashkë. U takuam vetëm për një periudhë të shkurtër në një grumbullim te Chelsea, kur ishte Mourinho, madje ndanim edhe të njëjtin apartament. Pastaj ai shkoi te City, unë tek Everton.
Tani do të luajmë bashkë çdo ditë, është diçka e bukur. Për Napolin i kam treguar që ka tifozë të jashtëzakonshëm dhe një skuadër me njerëz të vërtetë, të gjithë të gatshëm për grupin. Këtë e ka parë me sytë e tij që kur ka ardhur këtu, po përshtatet shpejt me mënyrën tonë të punës. Kupton edhe pak italisht, është shumë inteligjent, pastaj ne belgët mësojmë 3-4 gjuhë në shkollë. Unë ia kam mësuar bazat e italishtes: ‘Mirëmëngjes, si je, etj’. Pres shumë prej tij këtë sezon”.
The post “Pres shumë nga De Bruyne këtë sezon, nuk kam pasur kurrë frikë se Conte do të largohej” appeared first on Telesport.









