Liverpool barazoi 1-1 në Anfield dhe duket se tashmë shpresat për të ruajtur kurorën e Premier u shuan menjëherë.
Sunderland rrezikoi i pari në minutën e 32-të, kur Trai Hume goditi fuqishëm drejt trekëndëshit, por Alisson reagoi në mënyrë fantastike duke devijuar topin në traversë.
Liverpooli iu afrua golit në minutën e 44-të, por goditja me kokë e Alexis Mac Allister u ndal në shtyllën e majtë.
Sunderland kaloi në epërsi në minutën e 67-të, kur një gjuajtje nga distanca e Chemsdine Talbi u devijua dhe përfundoi në rrjetë duke befasuar Alissonin.
Pak çaste më vonë, Omar Alderete pati mundësinë të dyfishonte rezultatin, por goditja e tij me kokë u përplas në shtyllë.
Liverpooli u rikthye në lojë në minutën e 81-të. Florian Wirtz, pas një depërtimi të shkëlqyer mes mbrojtësve, goditi nga brenda zonës dhe topi u devijua, duke e mposhtur portierin Roefs për 1-1.
Në minutën e 91-të, sulmuesi mysafir Wilson Isidor u gjend i vetëm përballë Alisson, por goditjen e tij e largoi nga vija fatale Federico Chiesa.
Pavarësisht tentimeve nga të dyja skuadrat, asnjëra nga to nuk arriti të gjejë golin e fitores.
Leeds tronditi Chelsean sakaq. Edhe pse blutë vinin nga një seri e bukur rezultatesh, vendasit e nisën fuqishëm takimin dhe kaluan në epërsi që në minutën e gjashtë, kur Jaka Bijol shënoi me kokë pas një goditjeje këndi të ekzekutuar në mënyrë perfekte nga Anton Stach për 1-0.
Leeds ishte pranë golit të dytë në minutën e 16-të, por goditja tjetër me kokë e Bijol shkoi pak centimetra jashtë.
Goli i dytë do të vinte në minutën e 43-të, kur Ao Tanaka realizoi një goditje të fuqishme nga jashtë zonës, duke e çuar rezultatin në 2-0.
Chelsea reagoi herët në pjesën e dytë dhe në minutën e 48-të Nmecha u ndal nga një pritje e jashtëzakonshme e Sanchez.
Megjithatë, londinezët arritën të ngushtonin diferencën në minutën e 50-të me një gol të bukur nga Pedro Neto, pas një pasimi të saktë të Joao Pedros për 2-1..
Chelsea ishte pranë barazimit në minutën e 69-të, por Cole Palmer gaboi nga brenda zonës duke e dërguar topin paksa jashtë shtyllës së majtë.
Vetëm pak minuta më vonë, Leeds përfitoi nga një gabim katastrofal i mbrojtjes kundërshtare dhe Dominic Calvert-Lewin shënoi lehtësisht nga afër për 3-1, rezultat që vulosi ndeshjen.
The post Premier League: Liverpool nuk di të ngrihet, Chelsea tronditet nga Leeds! appeared first on Telesport.











