Prej sot hyn në fuqi “plaçka” 17.7 € e KEDS-it, Qeveria akuzohet se e ka miratuar taksën e shtrenjtë

KEDS ka njoftuar se nga 1 gushti (sot) do të fillojë aplikimi i taksës për shkyçje të konsumatorëve që nuk e paguajnë borxhin brenda afatit ligjor, konform metodologjisë.

KEDS bënë të ditur se vonesat mbi afatet e parapara nga 1 gushti i këtij viti do të kenë edhe kosto shtesë financiare. “Në këtë kontekst, konsumatorët do të paguajnë edhe një taksë neto prej 15 eurosh që, bashkë me TVSH-në, shkon në 17.7 euro, shumë e cila është e paraparë sipas Metodologjisë së Taksave të Kyçjes në Rrjetin e Shpërndarjes, po ashtu e aprovuar nga ZRRE-ja”, u tha në njoftim.

Tutje, në komunikatë thuhet se shkyçjet nuk janë të lidhura me një shumë të caktuar të borxhit, por me faturën specifike që ka afat kohor se kur duhet paguar

Për njohësit e ekonomisë, Qeveria e Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes përmes ZRRE-së po vazhdon t’ua bëjë jetën më të vështirë qytetarëve të Kosovës.

Ata thonë se nëpërmjet ngritjes së çmimit të rrymës shto këtu plus tarifën prej 17,7 euro për rikyçje qeveria po miraton këto vendime, që sipas tyre janë të paranueshme dhe të patolerueshme.

Shala: Qeveria Kurti po e rëndon xhepin e qytetarëve dhe ekonomitë familjare

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Ferat Shala, thotë për “Front Online” se qeveria “Kurti” nëpërmjet rritjes së çmimit të rrymës dhe tarifës prej 17 euro për rikyçje po e rëndojnë rëndë gjendjen ekonomike qytetare.

Deputeti i PDK-së thotë se qytetarët mund të jenë në lëvizje sezonale dhe kur të rikthehen padretësisht janë para obligimit të pagesës nga KEDS.

“Qeveria përveç që ka ngritur çmimin mbi 120% vitin e kaluar tashmë ka filluar t’i ndëshkoj qytetarët me gjoba për shkyçje dhe rikyçje prakitikisht, kur e dimë që pjesa dërmuese, mbi 30% e popullatës është në lëvizje dhe mund të jenë në sezona të caktuara jashtë vendit me muaj të tërë. Në parim secili që të kthehet pastaj do të thotë për dy muaj apo tre, ka për obligim të paguaj një taksë shtesë të kyçjes nga fillimi”, theksoi ai.

Shala thotë se një veprim i tillë është ndëshkim i qytetarëve, duke e quajtur të papranueshëm pasi rëndohet ekonomia familjare e secilit qytetar.

Ai thotë se këto veprime po i miraton qeveria, ndonëse në heshtje.

“Kjo është në ndëshkim i papranueshëm, ndëshkim që vjen nga politikat e qeverisë, ndëshkim që edhe njëherë po e rëndon ekonominë familjare e çdo qytetari të Kosovës. Mbi bazën e të cilave veprime parimisht në heshtje qeveria po i miraton”, tha ai.

Shala thotë se qytetarët duhet të vetëdijësohen dhe të ngrisin zërin qoftë edhe nëpërmjet protestave, masi gjepi i tyre po varfërohet.

“Këto janë ndëshkime të cilat qeveria po ua bënë qytetarëve, këta të fundit duhet të vetëdijësohen dhe duhet, pse jo, edhe të protestojnë sepse gjepi i tyre, ekonomia e tyre po rëndohet tej mase. Gjatë katër vite qeverisje kemi pasur dy herë ngritje çmimi, që është e papërballueshme dhe e patolerueshme”, tha Shala për Front Online.

Lekaj: KEDS, ZRRE dhe Qeveria Kurti kanë dështuar në menaxhimin e sektorit të energjisë

Anëtari i Komisionit për Ekonomi, Pal Lekaj thotë për “Front Online” se pagesa e vendosur prej KEDS-it për rikyçje në vlerë orej 17 eurosh dëmton dhe zhvatë qytetarët e Kosovës.

“Vendimet e fundit për pagesë 17 euro në rast të shkyçjes është një vendim që dëmton dhe zhvatë padrejtësishtë qytetarët e Kosovës”, tha ai.

Deputeti i AAK-së thotë se partia e tij kanë kërkuar uljen e çmimit të energjisë, por që nuk është marrë parasysh.

“Gjithashtu edhe më të këqija janë dy vendimet mbi rritjen e çmimit të energjisë dhe të cilat po e dëmtojnë edhe më shumë mirëqenien e qytetarëve. Ne si AAK kemi kërkuar vazhdimisht uljen e çmimit të energjisë, por që nuk është marrë parasysh”, theksoi ai.

Për Lekajn, ZRRE dhe KEDS kanë nevojë për reflektim e ndryshim të politikave ndaj konsumatorëve të vendit.

“ZRRE dhe KEDS kanë nevojë për reflektim e ndryshim të politikave ndaj konsumatorëve të vendit, sepse egzitojnë mundësitë dhe kapacitetet që faturat e energjisë të jenë të pranueshme e të lira për qytetarët e vendit”, tha ai.

Në fund, Lekaj thotë se Qeveria duhet të kordinohet në mënyrë që të ndryshohet situata në sektorin e energjisë elektrike.

“Qeveria Kurti duhet të kordinohet me akterët e brendshëm dhe të ndryshohet menjëherë situata në sektorin e energjisë elektrike”, tha Lekaj për Front Online.

Shatri: Siç duket Qeveria Kurti ka hyrë në njëfarë “kumarie” me oligarkët

Ish- ministri i Financave, Haki Shatri thotë për “Front Online” vendosja e tarifës nga KEDS-i prej 7,7 euro për rikyçje në energji elektike është formë e plaçkitjes ndaj qytetarëve.

“Na jemi mësuar me dëgju lajme të këqija në këtë vend çdo ditë, befasohemi me dëgju diçka të mirë. KEDS-i e a bërë që kur të vjen fatura e dytë, nëse se keni paguar të parën, ta shkyçin rrymën. Për ta rikyçur pastaj, nëse i keni pasur 5 euro borxh duhet njëfar dënimi apo mëditje me ua pagu atyre që vijnë për me e rikyç. Kjo është formë e plaçkitjes”, tha ai.

Ai thotë se për çmimin e rrymës kanë reaguar por nuk kanë marrë përgjigje, dhe sipas tij, duhet pajtuar me shtetin se në të kundërtën të shkelin.

“Rritja e çmimit të rrymës veçse kemi reaguar disa herë por s’ka pas kundër reagim, e kanë lanë në qatë nivel të çmimeve. Shteti çka të bënë duhet të pajtohemi përndryshe të shkelin”, theksoi tutje ai.

Sipas Shatrit, shteti nuk do duhej të lejoj vendime të tilla por kjo po ndodhë pasi vetë qeveria ka lidhur bashkëpunim me oligarkët.

“Këta që bëjnë distribuimin e rrymës janë ndërmarrje private, meqenëse e kanë marrë këtë punë në privatizim, shteti ish dashtë me i ndalë dhe mos t’i lejoj të bëjnë veprime që janë në kundërshtim me marrëveshjen bazike. Siç duket qeveria ka hyrë në njëfarë “kumarie” me këta oligarkët, njëherë janë prishë por teknika është kështu për me mujt me hy në bashkëpunim me ta duhet njëherë me i kritiku, pastaj vijnë të bisedojnë dhe bëhen bashkë”, deklaroi ish ministri.

Në fund, ai tha se vendimet e Qeverisë po dëmtojnë qytetarët.

“Ky vendim e dëmton xhepin e qytetarëve, sikurse edhe rritja e çmimeve. Çdo vendim i ri që po merret po shkon në dëm të qytetarëve”, tha Shatri për Front Online.

Gazetari i ekonomisë: Taksa për rikyçje në furnizimin e rrymës pas shkyçjes është shumë e lartë

Gazetari i ekonomisë, Mehmet Gjata, thotë për “Front Online” se çdo vend në Ballkan ka kosto për rikyçje në rrjetin e furnizimit me energji elekrtike, por jo në mënyrën siç po vepron KESCO.

Ai thotë se janë të caktuara kuotat ose niveli i borxhit të konsumatorit dhe tejkalimi i këtyre kuotave kur bëhet shkyçja e borxhliut.

“Duhet të kihet parasysh se për rikyçje, apo rilidhje të konsumatorit në rrjetin e furnizimit me energji elektrike, edhe në rastet e shkyqjes për shkak të mos pagesës së rrymës së konsumuar, në shumë vende, sidomos të Ballkanit, bëhet një pagesë. Por, gjithandej në këto shtete ka rregulla strikte. Janë të caktuara kuotat, ose niveli i borxhit të konsumatorit dhe tejkalimi i këtyre kuotave kur bëhet shkyqja e borxhliut, dhe në asnjë mënyrë nuk veprohet siç vepron KESCO”, tha gazetari Gjata.

Ai thotë se KESCO ka shkëputur konsumatorët e ndryshëm nga grupi i amvisrisë edhe për dy-tre euro të mbetur borxh, e mos të flasim për dhjetë e më shumë euro.

“KESCO, në dhjetëra e qindra raste, deri më tash ka shkëputur konsumatorët e ndryshëm nga grupi i amvisërisë edhe për dy-tre euro të mbetur borxh, e mos të flasim për dhjetë e më shumë euro. Dhe tani del që pagesa për rikyqje të jetë disa herë më e madhe se sa borxhi i klientëve të shkyqur për fare pak euro borxh”, theksoi tutje ai.

Gjata konsideron se shuma prej 17,7 taksë për rikqyje është shumë e lartë. “Unë mendoj se shuma 17,7 euro taksë për rikyçje në furnizimin e rrymës pas shkyçjes është shumë e lartë”.

Megjithatë, sipas tij qytetarët po tregohen klientë të disciplinuar, pagues goxha të mirë, të përgjegjshëm dhe të rregulltë të rrymës

“Sipas të dhënave, KESCO, as sistemi elektroenergjetik i Kosovës në përgjithësi tani e sa vjet nuk e ka problem te ndjeshëm mospagesën e rrymës nga konsumatorët. Përkundrazi, kosovarët, hiç komunat në veri të Kosovës, që për shkaqe politike nuk i kanë paguar deri më tash fare faturat e energjisë, po tregohen klientë të disciplinuar, pagues goxha të mirë, të përgjegjshëm dhe të rregulltë të rrymës”, tha ai.

Por për ata që e vjedhin rrymën, kjo shumë nuk është e lartë aspak, sipas tij.

“Gjithsesi, në Kosovë ka probleme edhe me shpenzimin e paautorizuar të rrymës, ose thënë më konkretisht vjedhjen e këtij produkti. Në këto raste, pra në rastet kur duhet rikyçur konsumatorin në rrjet pas shkyçjes për shkak të vjedhjes, taksa e paralajmëruar nga KESCo prej 17,7 eurosh, nuk është e lartë fare”, deklaroi ai.

Në fund, Gjata thotë se kjo taksë është e ngutshme dhe e padiskutushme me qytetarët, që del të jetë hakmarrje ndaj konsumatorëve.

“Duhet thënë se paralajmërimi i kësaj takse (17,7 eurosh) nga KESCO është e ngutshme, e padiskutueshme fare paraprakisht me konsumatorët dhe ngjanë goxha shumë si një hakmarrje e KESCO kundrejt konsumatorëve kosovarë, pas refuzimit të ZRRE-së për të pranuar tarifat e çmimit të ngritur të rrymës të kërkuara nga KESCO”, tha gazetari i ekonomisë për Front Online.