Prej nesër nis zbatimi i ligjit për të huajt dhe i ligjit për automjetet

Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur se nga 16 janari do të nisë zbatimin ligji për të huajt dhe ai për automjetet.

Siç ka shkruar ai në Facebook, në fazën e parë të zbatimit, vizitorët që hyjnë në vendkalimet kufitare do të pajisen me material informues rreth procedurave dhe rregullave specifike. Kjo periudhë do të zgjasë deri më 15 mars.

Pas kësaj, sipas Bislimit, do të nisë zbatimi i plotë i ligjit.

Bislimi po ashtu ka thënë se kjo periudhë duhet të përdoret për të filluar me procesin e integrimit përmbajtësor të sistemit shëndetësor dhe të arsimit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës njofton se kjo periudhë e zbatimit afirmativ duhet të përdoret maksimalisht për të filluar me procesin e integrimit përmbajtësor të sistemit shëndetësor dhe atë të arsimit në gjithë territorin e vendit”, ka shkruar ai në Facebook.

Ligji parasheh që të gjithë ata që nuk posedojnë dokumente të Kosovës do të duhet të aplikojnë për leje qëndrimi brenda 72 orëve. Masat pritet të prekin kryesisht komunitetin serb që jeton në veri dhe që deri më tash ka përdorur automjete me targa të qyteteve në Serbi me autorizime, ose që s’kanë pasur dokumente të Kosovës.

Zbatimi i ligjeve ishte paraparë të niste më 1 nëntor, por Ministria e Punëve të Brendshme e shtyu për të mundësuar një fushatë informuese.

Po ashtu, drejtimi i automjeteve me targa të huaja mbi bazën e autorizimit është në kundërshtim me Ligjin për komunikacion. Megjithatë, Policia pati thënë për Radion Evropa e Lirë se kjo ishte toleruar që t’u jepet kohë qytetarëve që t’i ndërrojnë targat. Tani do të lejohet autorizimi vetëm në raste emergjente, por me paralajmërim.

Më 2022, Kosova ndaloi qarkullimin e automjeteve me targa me akronimet e qyteteve të Serbisë. Masa shkaktoi tensione pasi serbët u larguan nga institucionet e Kosovës. Më pas një pjesë e komunitetit serb në Kosovë i regjistroi veturat me targa të Serbisë dhe i përdor brenda territorit të Kosovës mbi bazën e autorizimit. Në autorizim përfshihen të dhënat e letërnjoftimit të drejtuesit, që lëshohet nga Serbia për qytetet në Kosovë, por që Kosova nuk i njeh si dokumente.

Ndërkaq ligji për të huajt i prek të gjithë që s’kanë dokumente kosovare, por që jetojnë, punojnë ose studiojnë në Kosovë.

Policia e Kosovës ka thënë se nuk do të nisë menjëherë me dëbime, por vetëm me njoftime për paraqitje në stacione policore.

E Lista Serbe, si partia më e madhe serbe në Kosovë, ka kërkuar sërish shtyrjen e zbatimit të ligjeve. Kërkesë të tillë ka bërë edhe Nenad Rashiqi, udhëheqës i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.