Javë aspak e lehtë për Albin Kurtin – prej rënies pre e një mashtrimi të rëndë nga dy tallës rusë, presionit publik për mosshtrenjtimin e rrymës (i treti me radhë) dhe nisjes së rrjedhjes së afatave kushtutetuese për të konstituar Kuvendin e Kosovës ku s’ka numra për shumicë parlamentare për të ndërtuar qeveri të re.
Në krejt këtë peizazh Kryeministri në largim i Kosovës, Albin Kurti, gjeti diçka të re për t’u komunikuar mbështetësve të vet: zgjedhjet lokale dhe projeksionet e tij për pritshmëritë se si duhet të përkthehen ato për Vetëvendosjen.
21 komuna gjithsejt i synon Kurti, sipas një postimi të bërë në Facebook me hartën e komunave ku shumicë e votës ishte për Vetëvendosjen në zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve parlamentare, kështu duken renditjet dhe përqindjet e subjekteve nëpër komuna. Hartë që duhet të na shërbejë edhe në përgatitjet për zgjedhjet lokale në vjeshtë”, shkroi ai.
Deri më sot në çdo pyetje të gazetarëve se “si/kur do ta bëni qeverinë?” Kurti është shmangur kategorikisht nga të dhënit përgjigje përmes arsyetimit “pritni certifikimin e rezultateve”.
Rezultatet u certifikuan, përgjigja e Kurtit? 21 komuna në zgjedhjet lokale.
Me 48 mandate sa ka marrë Vetëvendosja, s’i arrin dot as me pakicat jo serbe 61 deputetë për të ndërtuar shumicë të thjeshtë parlamentare – në këmbë të drunjta – për të ndërtuar qeveri.
Kjo për më tepër kur Kurti ka refuzuar kategorikisht të gjitha partitë e tjera opozitare dhe pakicën serbe – duke i çuar tonet në degradim kafshor të oponentëve politikë si “hajvanë”.
Me numrat që s’i ka, opozita në anën tjetër supozohet të jenë duke zhvilluar bisedime në rast të dështimit eventual – jo larg mendësh – të Vetëvendosjes për të ndërtuar shumicë parlamentare.
Bedri Hamza i Partisë Demokratike të Kosovës thotë se janë duke zhvilluar bisedime me partitë e tjera opozitare po qe se vihet te mandatari i dytë.
Ndryshe nga Kurti, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është përgjigjur në interesimin e gazetarëve për këtë çështje.
Presidentja ka thënë se ekipi e saj ligjore është duke e analizuar situatën se kur mund të thirret seanca konstituive e Kuvendit.
Shefja e shtetit ka thënë se data për këtë seancë do të dihet shumë shpejt.
“Ka ardhur shkresa zyrtare nga KQZ ku na njofton me rezultatet e zgjedhjeve të certifikuara, mënyrën se si ndahen ulëset. Ka afat prej 30 ditësh që parashihet për thirrjen e seancës. Ekipa ime ligjore po analizon se sa mund të ketë nevojë për kohë, për përgatitje të seancës, në mënyrë që kur thirret seanca të jetë e suksesshme, gjithçka do të bëhet brenda afatit. Nuk mund të jap datë, por shumë shpejt do ta kemi datën”, ka thënë Osmani.
Bedri Hamza i PDK-së në një konferencë për media, ai ka konfirmuar se është duke bisedime me tri partitë opozitare për çështjen e formimit të qeverisë së re, transmeton nacionale.
“Po, jemi në biseda. Dhe fatbardhësisht asnjë barrierë në komunikim me asnjë parti politike nga ana ime nuk ekziston. Jam i gatshëm me të gjithë me bisedu. Jemi në biseda edhe LDK, edhe AA, edhe me Nismën dhe me subjektet tjera”, ka thënë ai.
Hamza ka treguar se bisedat ende nuk kanë arritur deri aty se të flitet për poste.
“Nuk kemi mbërri deri në fazën se di do të duket formula e qeverisë, por jemi duke biseduar. Prandaj, nëse vjen radha, sigurisht e unë jam i përgjegjshëm dhe shumë i përkushtuar që vendit me i dhënë institucione. Nuk kem mbërri deri të çështjen e ndarjes së posteve”, ka thënë Hamza.