Kryetari i ri i Fushë Kosovës, Valon Prebreza, ka deklaruar se ‘kryesuesi i kuvendit komunal në Fushë Kosovë është votuar nga të gjitha partitë politike’ përfshirë Listën Serbe dhe se ‘nuk e di çka ka të keqe këtu’.
“Kanë votu edhe të PDK-së, edhe të LDK-së, të Nismës, Zëri i Drejtësisë, PDAK-së, domethënë të gjitha subjektet politike kanë votu aty. Unë nuk e di çka ka të keqe këtu. As nuk ka qenë votë determinuese nëse paska votu i Listës Serbe. As nuk ka qenë votë që jemi varë osë varemi në të” – deklaroi Prebreza në një pronocnim për VoxKosova.
Mbrëmë Prebreza, ka konfirmuar raportimet se Kuvendi i Fushë Kosovës, u konstituua edhe me një votë të Listës Serbe.
Megjithëse Prebreza thotë se këtë votë nuk ia kanë kërkuar Listës Serbe.
“Si qeverisje e re në Fushë Kosovë ne kemi bërë koalicion me dy subjekte politike në Kuvendin Komunal, me AAK dhe PDAK. Për konstituimin e sotëm duheshin 16 vota gjithsej.
Ndërkaq, në seancën e sotme ne kemi marrë 20 vota PËR, ku përveç nga koalicioni PËR kanë votuar edhe 3 asamblistë nga PDK, 1 nga LDK, 1 Nisma, 1 ZD, 1 PLE dhe 1 nga Lista serbe.
Pra, askush s’i ka kërkuar Listës serbe që të na mbështes e votojë e as nuk kemi koalicion me ta, sikurse mund ta shihni që vota PËR ka pasur nga të gjitha subjektet përfaqësuese në Kuvendin Komunal. Këta që sot bëjnë zhurmë në fakt ishin edhe në zgjedhjet lokale edhe në këto qëndrore që duan certifikimin e Listës serbe.
Mirëpo, këta që humbën, së bashku me portalet e tyre, vazhdojnë të bëjnë sjellje të tilla nga dëshprimi”, ka shkruar ai.











