E ngarkuara me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Anu Prattipati është takuar sot me ministren e sapoemëruar të Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz.
Takimi është zhvilluar në objektin qeveritar ku është e vendosur Ministria e Drejtësisë.
Sipas një njoftimi për media të Ambasadës së ShBA-ve në Prishtinë, Prattipati dhe Gërvalla kanë diskutuar për bashkëpunim mbi prioritetet e sektorit të drejtësisë.
“I ngarkuari me punë Anu Prattipati u takua sot me ministren e sapoemëruar të Drejtësisë, Donika Gervalla-Schwarz, për të diskutuar bashkëpunimin mbi prioritetet e sektorit të drejtësisë. Ne mirëpresim vazhdimin e partneritetit për të forcuar themelet e sigurisë sonë të përbashkët”, tha Ambasada e ShBA-ve në njoftim.
Gërvalla, para se të emërohej ministre e Drejtësisë pas formimit të Qeverisë Kurti III, më parë kishte shërbyer për më shumë se katër vite si zëvendëskryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme në Qeverinë Kurti II.










