Prania e NjSO-së në punimet e urës së re mbi lumin Ibër, deklarohen nga Policia

Njësia Speciale Operative (NJSO) e Policisë së Kosovës po monitoron nga afër punishten ku po ndërtohen dy ura të reja mbi lumin Ibër.

Zëvendësdrejtori i Policisë në Mitrovicë të Veriut, Veton Elshani, në një prononcim për Telegrafin bëri me dije se pjesëtarët e NJSO-së janë të angazhuar për të garantuar sigurinë e përgjithshme në këtë zonë.

“Për sigurinë e përgjithshme”, u shpreh shkurt Elshani.

Ndërkaq, sot zëvendësministri i Infrastrukturës në detyrë, Hysen Durmishi tha se sot është duke u shtruar shtresa e asfaltit mbi urë, ndërsa nesër planifikohet vendosja e sinjalistikës.

Durmishi, në një prononcim për Telegrafin tha se po presin raportin preliminar të testimeve të urës për të siguruar që ajo është gati për përdorim.

“Jemi duke punuar intensivisht, sot po bëhet shtresa e asfaltit, nesër do të vendoset sinjalistika dhe po presim raportin preliminar të testimeve”, tha Durmishi.

I pyetur nëse pritet që ura të hapet në fillim të shtatorit, ai u shpreh me optimizëm: “Gjithsesi në fillim të shtatorit”.

Ndryshe, gurthemeli i dy urave mbi lumin Ibër është vendosur në fillim të muajit korrik, në prezencën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Ndërtimi i këtyre urave është pjesë e një projekti më të gjerë infrastruktural që synon përmirësimin e lidhjeve ndërmjet Mitrovicës së Veriut dhe asaj të Jugut.

The post Prania e NjSO-së në punimet e urës së re mbi lumin Ibër, deklarohen nga Policia appeared first on Kosovapost.net.