Pragmatizmi mbi ndryshimin: Serbët rikthejnë Listën Serbe

Për analistët politikë fitorja e Listës Serbe në veri është kryesisht rezultat i mungesës së alternativave serioze dhe jo një shenjë e mbështetjes së fuqishme.

Në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, Lista Serbe rimori pushtetin në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe, të cilat që nga viti 2023 u udhëhoqën nga kryetarë shqiptarë, pasi që në fund të vitit 2022, zyrtarët serbë ishin larguar nga institucionet në Kosovë.

Edhe pse krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2021, mbështetja për këtë parti ka rënë në disa komuna, Lista Serbe ka fituar drejtimin e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut, Leposaviqit, Graçanicës, Ranillugut, Parteshit, Shtërpcës, Novobërdes. Ndërsa, në Kllokot Lista Serbe do të shkojë në balotazh.

Për analistët politikë fitorja e Listës Serbe nuk ka të bëjë aspak me faktin se ata janë përfaqësuesit më të denjë të komuniteti serb, por nga mungesa e alternativave serioze që do të sfidonin pushtetin e kësaj partie që gëzon mbështetjen e plotë të Serbisë.

Në vlerësimin e komentatorit politik, Ognjen Gogiç, zgjedhja e Listës Serbe ka qenë më shumë pragmatike sesa ideologjike. Gogiç beson se ndonëse serbët ishin për ndryshim, ata nuk kanë pasur alternativa të arsyeshme që do t’i përfaqësonin interesat e tyre.

“Listat tjera serbe konkurruese ishin shumë të përçara. Ato nuk kishin strukturë të unifikuar e as burime të mjaftueshme, gjë që ua vështirësoi bindjen e votuesve se mund të ofronin rezultate konkrete. Serbët duan të shohin një alternativë, por kësaj radhe ajo ishte tepër e fragmentuar për t’u marrë seriozisht. Me pak fjalë, votuesit zgjodhën të luajnë të sigurt: duke votuar për partitë opozitare serbe do të rrezikonin mbështetjen nga Beogradi, të cilën nuk mund ta humbasin”, thotë ai për Albanian Post.

Në të njëjtën linjë të mendimit është edhe ligjëruesi universitar, Dritëro Arifi.

Ai konsideron se rikthimi i Listës Serbe në pushtet në katër komunat veriore, është kryekëput si rezultat i mos aftësisë së qeverisë për të prodhuar një plan strategjik nacional për veriun e Kosovës.

“Pra, po vërehet që ka mungesë të thelluar të komunikimit në mes të qeverisë dhe serbëve lokal atje. Në mungesë të opsioneve të tjera, serbët lokal edhe pse janë privuar nga e drejta për të pasur një integrim të thellë pikërisht për shkak të Listës Serbe, ata prapë e kanë zgjedhur Listën Serbe”, potencoi ai për AP.

Por, pse Lista Serbe vendosi të marrë pjesë në zgjedhje, kur asnjë prej kushteve të tyre nuk u plotësua?

Më 5 nëntor 2022, në Mitrovicën e Veriut, Lista Serbe mori vendim për largimin e përfaqësuesve serbë nga të gjitha institucionet e Kosovës – nga niveli qendror ekzekutiv deri te ai lokal dhe gjyqësor.

Kryetari asokohe i Listës Serbe, Goran Rakiç, në një takim të mbajtur kishte theksuar se ky vendim do të mbetet në fuqi derisa Kosova të nis zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut me Beogradin, të tërheqë vendimin për targat dhe të formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, në përputhje me Marrëveshjen e Parë të Brukselit dhe dokumentet e tjera përkatëse.

Për Gogiç, kjo pyetje ka një përgjigje të thjesht. Sipas tij, Lista Serbe dhe një pjesë e madhe e votuesve serbë e kanë kuptuar se tërheqja nga institucionet në vitin 2022 dhe bojkotimi i zgjedhjeve në vitin 2023 ishin një gabim i madh.

“Këto veprime ua kufizuan ndikimin në vendimmarrjen lokale dhe përkeqësuan kushtet e jetesës. Vetë Lista Serbe e ka pranuar se tërheqja dhe bojkotimi i institucioneve të Kosovës u kthyen në bumerang. Për këtë arsye, votuesit zgjodhën të ‘rikthehen në sistem’, me qëllim që të normalizojnë funksionimin e komunave dhe të rifitojnë të drejtën për të ndikuar në vendimet që i prekin drejtpërdrejt”, thotë ai për AP.

Në të njëjtën kohë, sipas Gogiç rikthimi i Listës Serbe në pushtet përbën edhe një hap konstruktiv drejt normalizimit të përgjithshëm.

“Pasi tregon se Lista Serbe po riangazhohet me kornizën ligjore dhe institucionale të Kosovës dhe po e njeh atë si të ligjshme”, potencon ai.

Çfarë ndodhë tash, a ndryshon situata në katër komunat veriore?

Gjendja në veri të Kosovës, beson Gogiç, do të ndryshojë, por jo edhe aq sa shpresojnë serbë.

“Koha nuk mund të kthehet pas. Vendimet e kaluara nuk mund të anulohen. Kryetarët e rinj do të duhet të përshtaten me një realitet të ri, të formësuar nga vendimet e kryetarëve paraprakë dhe të qeverisë qendrore — shumë prej të cilave do të jenë të vështira për t’u ndryshuar”.

Gogiç pretendon se qeveria mund të ushtrojë mbikëqyrje më rigoroze ndaj administratave të reja komunale, përfshirë shqyrtime ligjore dhe ndoshta pezullime apo anulime të disa vendimeve komunale.

“Kjo mbikëqyrje nga Prishtina do të kufizojë përmasën dhe shpejtësinë e ndryshimeve. Serbët po rikthehen në pozitat e zgjedhura – si kryetarë dhe këshilltarë – por jo në administratën lokale. Do të ketë mundësi të kufizuara për punësime të reja, prandaj kryetarët e rinj do të duhet të mësojnë të punojnë me nëpunësit aktualë komunalë”, shton ai.

Situata në katër komunat veriore të Kosovës, sipas Arifit, nuk do të jetë i njëjtë si me kryetarët shqiptarë, por se edhe Lista Serbe do t’i qaset situatës nga një këndvështrim krejtësisht tjetër.

“Të gjithë betejën e tyre do ta fokusojnë në aspektin ligjor, secilën rregullore, secilën vendim që e kanë marrë kryetarët shqiptarë gjatë këtyre dy viteve, Lista Serbe do të mundohet që t’i luftojë gjithnjë me mjete ligjore”.