Pozhari: Dy urat mbi Ibër do të ndërtohen në një afat rekord, shumë shpejt do të përfundojnë

Konsulenti politik, Xhevdet Pozhari, ka bërë të ditur se ndërtimi i urave mbi Ibër do të përfundojë në një afat rekord, ku sipas tij do të tregojnë se ato janë dëshmi e fuqizimit të prezencës së shtetit të Kosovës në atë pjesë.

Pozhari në studion e “Këndit të Debatit” tha se urat do të kenë rol kyç në nxitjen e komunikimit dhe bashkëjetesës mes qytetarëve në veri.

“Transformimi, jo vetëm me këto ura që tashmë janë simbolikë dhe sa kam unë informacion për ta ndarë me publikun, do të ndërtohen në një afat rekord, shumë shpejt. Shumë shpejt do të përfundojnë të dy urat. Kjo dëshmon fuqizimin e prezencës së shtetit të Kosovës atje. Këto ura shërbejnë për të forcuar komunikimin dhe ndërveprimin midis qytetarëve”, tha ai në Tëvë1.

Ai theksoi se përveç urave fizike, është e nevojshme të “shembën muret mendore” që kanë ekzistuar prej pasluftës e deri më sot.

“Duhet të shemben ‘muret mendore’, të cilat kanë ekzistuar që nga çlirimi i Kosovës e deri në ardhjen e kësaj qeverisje, që pas të shtrohen urat e komunikimit. Kjo më pas është simbolikë, e cila e thekson vizionin që e ka pas kjo qeveri, me shumë pengesa edhe sa i përket kërkesave të faktorëve ndërkombëtarë që janë shqetësuar për sigurinë atje, derisa vari kryesisht kontrollohej nga grupi i Radojiçiqit, grupet kriminale, grupet e propagandës”, deklaroi konsulenti politik.

Të mërkurën, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka nënshkruar  memorandum bashkëpunimi me komunat e Mitrovicës së Jugut dhe atë të Veriut, për ndërtimin edhe të dy urave mbi lumin Ibër.

Ministri në detyrë Liburn Aliu, ka thënë se këto projekte do t’i lidhin më shumë komunat dhe do t’i bëjnë më të jetueshme për të gjithë banorët.

Ndërkohë, aktualisht ura kryesore mbi Ibër është e hapur vetëm për këmbësorë.

The post Pozhari: Dy urat mbi Ibër do të ndërtohen në një afat rekord, shumë shpejt do të përfundojnë appeared first on Kosovapost.net.