Posedon rezidencë 140 milionëshe, kryetari i Bordit të Trustit “zbulon” origjinën e pasurisë

Emanuel Bajra, kryesuesi i Bordit të Trustit, tha se prejardhja e pasurisë marramendëse të tij e ka burim Mbretërinë e Bashkuar.

Bajra, i emëruar në krye të Bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale në vitin 2023, theksoi se origjina e pasurisë së tij, përfshirë rezidencën luksoze në vlerë prej 140 milionë eurove, nuk është Kosova.

“Dua të jem shumë i qartë se pasuria ime nuk ka origjinë nga Kosova. Ajo është krijuar në Mbretërinë e Bashkuar, shumë kohë përpara angazhimit tim në role publike në Kosovë”, tha Bajra në një postim në rrjetet sociale. “Kam vite të tëra përvojë në tregjet financiare dhe gjithçka që kam është e fituar me punë, me disiplinë dhe me sakrificë”.

Bajra tha se “çdo cent është i deklaruar, i dokumentuar dhe plotësisht legjitim”.

Ai tha se deklarimi i pasurisë nuk është vetëm një obligim formal, por një akt i drejtpërdrejtë transparence dhe respekti ndaj publikut.

Në deklarimin e pasurisë për vitin 2026, kryesuesi i Bordit të Trustit deklaroi të posedonte prona të paluajtshme që në total kapin shifrën e rreth 142 milionë euro.

Bajra, deklaroi po ashtu 108 milionë euro kursime pensionale, ndërsa tha se paga e bashkëshortes së vet kap vlerën e 13 milionë eurove në vit.