Porosia e Ambasadorit Kosnett për 11 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës (Video)

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip S. Kosnett, ka uruar 11 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

“Kam nderin dhe privilegjin që shërbej si ambasador i SHBA-së gjatë kësaj kohe emocionuese. Jam kthyer në Kosovë pas 15 viteve dhe e shoh që populli i Kosovës ka arritur përparim të jashtëzakonshëm në rindërtimin e vendit dhe është përgatitur për sukses në skenën botërore. Gjithmonë mahnitem nga të rinjtë e Kosovës: të rinj të zgjuar, energjikë, kreativë, që kërkojnë mundësi për ta ndërtuar të ardhmen e tyre këtu në Kosovë”, ka thënë Kosnett.

Kosnett, tutje ka thënë se të dy vendet kanë përfituar nga partneriteti i ngushtë ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës dhe, siç thotë Kosnetti, “nuk kam asnjë dyshim që partneriteti ynë do të vazhdojë në të ardhmen e largët”.

“ Por, mos u gaboni. Kosova tani është në dhjetëvjeçarin e dytë të pavarësisë dhe demokracisë. Iu takon kosovarëve që të marrin përgjegjësi dhe t’iu kërkojnë llogari udhëheqësve për të marrë hapat e nevojshëm për përparim”, ka thënë tutje, përcjell Koha.net.

“Sa herë që udhëtoj nëpër vend dëgjoj që qytetarët kosovarë i duan tri gjëra për familjet dhe vendin e tyre: paqe, drejtësi, mbarësi. Unë besoj se një vend nuk mund të presë të arrijë sukses në njërën nga këto fusha pa pasur sukses edhe në fushat tjera. Arritja e paqes do të kërkojë marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, që në thelb e ka njohjen e ndërsjellë. Arritja e drejtësisë nënkupton veprime konkrete për të ndërtuar sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit në të gjitha nivelet. E ndërtimi i mbarësisë nënkupton përpjekje më të mëdha që do të nxisin investimet ndërkombëtare dhe zhvillim ekonomik”, ka thënë ambasadori amerikan.

Kosnett, tutje thotë se sigurimi i kësaj të ardhmeje do të kërkojë udhëheqje të matur politike, qytetari të angazhuar, si dhe përkushtim për të ofruar mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët pa dallim gjinie, feje e etnie.

“Jam i bindur se populli i Kosovës është i aftë të përballet me sfidat që i ka përpara. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë përkrah jush. Urime Dita e Pavarësisë, Kosovë!”, ka përfunduar urimin me mesazhe Kosnetti.