“Populli i Kosovës meriton të dijë të vërtetën” – Jashari për dëshmitë në Hagë

Arbër Jashari, avokat, ka komentuar dëshminë e dëshmitarëve të mbrojtjes së Hashim Thaçit, të cilët janë duke u paraqitur para trupit gjykues tash e një javë.

Ai ka thënë në Five në RTV Dukagjini se mbrojtja ka filluar me një strategji jashtëzakonisht të mirë, duke vendosur dëshmitarë të rangut të lartë dhe me peshë në fillim të procesit të dëshmive, por ka shtuar se edhe në fund mbrojtja do të paraqesë dëshmitarë me peshë të madhe.

“Strategjia e saj ka qenë tejet mirë e menduar. E ka filluar ciklin e dëshmitarëve me një dëshmitar me peshë jashtëzakonisht të madhe siç është James Rubin, pastaj e ka vazhduar me një dëshmitar tjetër po aq të rëndësishëm… dhe gradualisht mund të kemi dëshmitarë të tjerë të cilët mund të jenë shumë të rëndësishëm për procesin dhe që nuk janë figura politike si Rubin dhe të tjerët”.

”Por besoj se mbrojtja ato goditjet e mëdha i ka lënë për fund. Unë mendoj se në fund të këtij procesi do të jetë edhe një figurë ose dy jashtëzakonisht të mëdha, të cilat me dëshmitë e tyre vetëm sa do ta vërtetojnë atë që tashmë po thuhet dhe që populli i Kosovës e meriton ta dijë, e thënë nga goja e diplomatëve dhe njerëzve e aktorëve të kohës… dhe që është një vlerë jashtëzakonisht e madhe për luftën dhe historinë tonë të pastër”, ka thënë ai.