Kryetari i partisë Serbia Qendër (SRCE), Zdravko Ponosh, ka deklaruar se presidenti i Serbisë po ndez konflikte të reja në rajon për të larguar vëmendjen nga dështimet e politikës së tij ndaj Kosovës dhe Bashkimit Evropian, transmeton Paparaci.
“Rezultati i 14 vjetëve në pushtet është – as Kosovë, as BE. Për të larguar vëmendjen nga rrënojat e politikës së tij ndaj Kosovës dhe Evropës, Vuçiqi po ndez zjarre të reja në rajon. Ashtu si në vitet ’90, shqetësimi i fundit për të është që në këto zjarre do të digjen edhe qytetarët e Serbisë dhe serbët në rajon”, ka shkruar Ponosj në platformën X.
Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, pardje ka deklaruar se aktualisht nuk është i mundur ardhja në Kroaci e presidentit Aleksandar Vuçiq për shkak të deklaratave dhe veprimeve të tij të fundit, dhe se për këtë arsye ka vendosur të anulojë takimin e Procesit Brdo-Brioni.
Ponoshi ka shkruar në X se nuk është lajm që Vuçiqi nuk mund të shkojë në Kroaci, duke pasur parasysh se nuk guxon të shkojë as në Novi Sad, as në Çaçak, e as në Uzhicë.
“Fatkeqësisht, kjo nuk ka të bëjë vetëm me të. Sheshelistët gjithmonë e kanë shitur patriotizmin e tyre të rremë si diçka me vlerë. Tani, me të njëjtin ambalazh nacionalist, po mbështjellin përsëri gjithçka që në thelb e kanë shkatërruar. Kosova dhe BE-ja janë shembujt më të qartë. Rezultati i 14 vjetëve në pushtet është – as Kosovë, as BE”, ka shtuar ai.
Ponoshi ka vlerësuar se Vuçiqi llogarit që në këtë tym mund të shkatërrojë ngadalë sistemin gjyqësor, mediat dhe universitetin.
“Ai nuk do të ishte i pari piroman që digjet nga zjarri që vetë e ka ndezur”, përfundoi ai./Paparaci.com










