Zhvillime me rëndësi përpara bisedimeve të paqes SHBA-Ukrainë.
Polonia ka ngritur në ajër avionët e saj luftarakë pranë kufirit me Ukrainën, pasi kryeqyteti ukrainas, Kievi, u godit gjatë natës nga raketa dhe dronë rusë.
Ushtria polake tha se forcat ajrore ndërmorën një reagim “parandalues” për të siguruar hapësirën ajrore të vendit, pas raportimeve se të paktën një person u vra dhe 28 të tjerë u plagosën në Kiev, sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës.
Ndërsa luftimet vazhdojnë, po vijojnë edhe përpjekjet diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje paqeje. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pritet të takohet të dielën në Florida me presidentin amerikan Donald Trump.
Megjithatë, pas sulmeve të fundit ruse, Zelensky ka përsëritur qëndrimin e tij se Rusia “nuk dëshiron t’i japë fund luftës dhe po përpiqet të shfrytëzojë çdo mundësi për t’i shkaktuar më shumë dhimbje Ukrainës”.
Në një postim në Telegram, Zelensky tha se Rusia ka lëshuar pothuajse 500 dronë dhe 40 raketa drejt Kievit, duke goditur infrastrukturë energjetike dhe objekte civile. Pamjet nga terreni tregojnë pallate banimi me vrima të mëdha dhe shtëpi të përfshira nga flakët pas goditjeve.
Kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, njoftoi se mijëra ndërtesa kanë mbetur pa energji elektrike dhe shumë banorë janë pa ngrohje, në një kohë kur temperaturat kanë zbritur nën zero. Shërbimi i Emergjencave bëri të ditur se 68 persona janë evakuuar nga një shtëpi të moshuarish në distriktin lindor Darnytskyi.
“Përfaqësuesit rusë zhvillojnë biseda të gjata, por në realitet flasin raketat ‘Kinzhal’ dhe dronët ‘Shahed’,” shkroi Zelensky, duke shtuar se Vladimir Putin nuk dëshiron t’i japë fund luftës. Ai u bëri thirrje SHBA-ve, Europës dhe aleatëve të tjerë që të reagojnë me masa të forta kundër agresionit rus.
Sulmet e fundit bënë që Polonia, e cila ndan një kufi prej rreth 530 kilometrash me Ukrainën perëndimore, të vendosë në gatishmëri avionët luftarakë, sistemet tokësore të mbrojtjes ajrore dhe radarët e vëzhgimit.
Forcat e Armatosura polake sqaruan se masat kishin për qëllim mbrojtjen e hapësirës ajrore, veçanërisht në zonat pranë rajoneve të rrezikuara. Më vonë u konfirmua se nuk kishte pasur shkelje të hapësirës ajrore të Polonisë.
Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se mbrojtja ajrore ruse kishte shkatërruar shtatë dronë ukrainas gjatë natës.
Të shtunën, Zelensky, liderë të Bashkimit Evropian dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pritet të zhvillojnë një bisedë telefonike për të diskutuar rrugën drejt paqes. Drafti i ri me 20 pika i Zelenskyt është një version i rishikuar i një plani të mëparshëm me 28 pika, i hartuar nga i dërguari special amerikan Steve Witkoff, i cili ishte kritikuar si tepër i favorshëm për Rusinë.
Presidenti ukrainas ka shprehur optimizëm për draftin e ri, duke e quajtur atë “një dokument themelor për përfundimin e luftës”, ndërsa Trump ka deklaruar se Zelensky “nuk ka asgjë derisa ta miratoj unë”, në një intervistë për Politico.
Drafti raportohet se përfshin garanci sigurie nga SHBA-të, NATO dhe aleatët evropianë për një reagim të koordinuar ushtarak në rast se Rusia do të pushtonte sërish Ukrainën. Kontrolli i rajonit lindor të Donbasit mbetet një pikë kyçe e negociatave, por Zelensky ka sugjeruar së fundmi mundësinë e krijimit të një “zone të lirë ekonomike”.
Trump tha se pret ta shohë draftin e ri të dielën dhe shtoi se pret të flasë “së shpejti” edhe me presidentin rus Vladimir Putin.













