Drejtori i Departamentit për NATO dhe Politika të Sigurisë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, z. Astrit Zemaj, ka pritur në një takim lamtumire Gjeneral Brigade Dr. Sven Lange, Drejtor i NALT në kuadër të NATO-s, me rastin e përfundimit të mandatit të tij në Kosovë.
Gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi i ngushtë dhe i vazhdueshëm ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe NALT, bashkëpunim i cili ka kontribuar drejtpërdrejt në avancimin e kapaciteteve të Kosovës dhe në rritjen e ndërveprueshmërisë me strukturat e NATO-s.
Me këtë rast, Drejtori Zemaj shprehu mirënjohjen për lidershipin dhe angazhimin e Gjeneral Brigade Dr. Sven Lange gjatë mandatit të tij në Kosovë, si dhe për kontributin e tij në përmbushjen e standardeve që e afrojnë Republikën e Kosovës me synimin strategjik të anëtarësimit në NATO.
Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për të forcuar më tej bashkëpunimin me NATO-n dhe vendet aleate, duke e konsideruar këtë bashkëpunim thelbësor për sigurinë dhe integrimin e saj të plotë në Aleancën Veri-Atlantike.









